Kalaja e Himarës dhe historia e jashtëzakonshme e Arbërisë dhe Skënderbeut!
Dritare.net
Në shek. XV-XVII, Shqipëria joniane, apo viset që atë kohë u përfshinë në sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës, u përfshinë nga një dinamikë historike e jashtëzakonshme. Si vendi ku kishin lulëzuar disa nga principatat më të shquara shqiptare, ky territor u kthye, pas pushtimit osman, në segmentin më të ndjeshëm të marrëdhënieve të Perandorisë së Gjysmëhënës me Perëndimin e krishterë.
Këtu e patën pikënisjen e tyre ekspeditat osmane për pushtimin e brigjeve të Italisë, dhe po këtu e patën një nga pikëmbërritjet kryesore përpjekjet e fuqive perëndimore, të prira nga Papati, për të destabilizuar pushtetin osman e për të krijuar një të çarë në këtë provincë periferike e të paqëndrueshme të Perandorisë. Përpjekje, të cilat sintonizoheshin me lëvizjet e vazhdueshme për çlirim e shkëputje të popullsive shqiptare të asaj treve. Mbi bazën e burimeve të shumta, në një pjesë të madhe të panjohura e të zbuluara prej tij në arkivat e Venedikut, studjuesi i njohur i Mesjetës shqiptare, Prof. Pëllumb Xhufi, evidenton rolin e luajtur në ngjarjet historike të atyre shekujve nga shqiptarët e Labërisë, të Himarës, të Delvinës e të Çamërisë. Fushata ushtarake, beteja e kryengritje shpesh herë të panjohura mbushin e pasurojnë njohuritë e deritashme për historinë e së ashtuquajturës “Shqipëri e Poshtme” në shek. XV-XVII.
Pjesë nga intervista e profesor Pëllumb Xhufit me gazetarin Dritan Hila!
“Kjo është kisha e Shën Sergjit dhe Shën Bakut dy nga martirët e parë të krishterimit të hershëm të shek. III dhe IV. Nuk është e vetmja kishë në Shqipëri që mbante këtë emër, kemi edhe kishën e Shirgjit në Shkodër dhe manastiri i Shën Sergjit dhe Bakut që tregojnë për lashtërinë e krishterimit. Nuk gjen në Ballkan kisha dhe vende kulti që i referohen kohëve më të hershme të krishterimit. Është një pasuri dhe veçanërisht kjo kishë ka një histori të jashtëzakonshme siç e ka gjithë vendi ku ne jemi këtu. Këtu jemi në kështjellën e Himarës.
Himarjotët sot i thonë Himara fshat kësaj zone këtu ndërkohë që kjo zonë dikur ishte qyteti.
Edhe qytetin shumë perëndimorë kur vinin në shek. XVI-XVI e njihnin si qyteti i Sergjit, sepse e identifikonin me shenjtorin. Pra e njihnin si qytet.
Fakti që ka qenë edhe peshkopatë Himara që në shek. IX, X, XI tregon që këtu kisha e Sergjit dhe Bakut, ka qenë vendi kryesor ku mblidhej jo vetëm pleqësia e Himarës në rreth të ngushtë por pleqësia e gjithë Himarës në kuptim të gjerë.
Sepse me emrin Himara kuptohej tërësia e gjithë zonës që përshinte zonën e bregut, zonën e Lumit të Vlorës, që quhej Pleshan në dokumentet e kohës dhe sot e kësaj dite është një zonë në krahun e djathtë të lumit të Vlorës që quhej Pleshovicë prej emrit të lashtë. Zona tjetër është zona e Kurveleshit. Të gjithë këto zona bashkë përbëjnë atë që quhej Himarë që përfshinte Labërinë e sotme që në atë kohë quhej Arbër. Pra jemi në shek. XIV, XV kur zona e Labërisë quhej arbër.
Duke qenë vitrina e gjithë trevës jugore shqiptare, Himara ishte një vend që ka dalë në dokumentacion që herët në kohën e antikitetit.
Në mesjetë ne kemi gjetur dokumente të Himarës, fshatrat përreth, Palasë, Dhërmi, Vuno etj, me regjistra të saktë të popullsisë së fshatrave. Këto dalin që në kohën bizantine, në kohën e perandorisë osmane ku kemi regjistra të kësaj kohe, sidomos ai i përgjithshmi i vitit 1583 ku ka të gjitha trojet shqiptare përfshirë edhe Himarën dhe gjithë zonën e bregut, me emra të gjithë kryefamiljarëve. Nomeklatura është e gjitha shqipe, emrat janë tërësisht shqiptarë, madje të karakterit bublik, si Gjon, Gjin, Dedë, Kolë etj”, u shpreh profesor Xhufi nga kalaja e Himarës gjatë intervistës me gazetarin Dritan Hila./L.F-dritare.net