
SPAK kërkon 5 vite burg për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, për inceneratorin e Tiranës. Çështja e Bllakos është kthyer në muajin korrik për rigjykim dhe SPAK kërkon shpalljen e tij fajtor për korrupsion pasiv në dy raste. Nëse dënohet me 5 vite burg, Bllako përfiton nga gjykimi shkurtuar dhe dënimi përfundimtar do jetë 3.4 vite burg dhe për 5 vite nuk ushtron asnjë funksion publik.
Më 11 mars Ballako u shpall fajtor nga GJKKO për korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë në dy raste, dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuante 2 vite e 8 muaj burg. Por Apeli urdhëroi rigjykimin e çështjes me një trupë tjetër gjykuese.
Sipas SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej rreth 120 mijë eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij, një fabrikë birre në Ersekë.
Gjithashtu, Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit. Për shërbimin e Bezhanit si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Bllako akuzohet se i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësonte fiktivisht Bezhanin për të siguruar një pagë prej 7. 5 milionë lekësh të reja.
Sipas SPAK, gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i Kokës, ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas orientimit të Alqi Bllakos duke i siguruar të dhëna të marra nga Autoriteti Kontraktor./dritare.net