
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si dëshmi se pushtetet në vend funksionojnë të ndara.
“Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë, apo jo?”, shkruan Rama.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë ndalet edhe te situata e Tiranës, duke theksuar se nëse kryeqyteti nuk do të ketë zgjedhje deri në vitin 2027 dhe kryebashkiaku i ndodhur në burg nuk mund të zëvendësohet pa zgjedhje, atëherë “disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më vetëm në dëm të të drejtave të tij, por edhe të popullit të Tiranës, që mbetet pa shërbimin e të zgjedhurit të vet”.
Rama shton se vendimi i Kushtetueses duhet parë si një qëndrim parimor, jo si një sulm ndaj qeverisë, dhe se në të njëjtën frymë pritet që Gjykata të shqyrtojë me të njëjtën parimësi edhe çështjen e paraburgimit të Erion Veliajt.
“Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë. Le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë,” përfundon Rama.
Postimi i plotë:
Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo
2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo
3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqytetu nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë./dritare.net