
Bletërritësi mesazh të rinjve: Mos e harroni bletën, po u zhduk ajo, zhduket jeta!
Dritare.net
Në fshatin e largët të Zhapokikës, ku qetësia dhe natyra mbizotërojnë, Gëzim Shehu është kthyer në një figurë simbol të punës së ndershme dhe pasionit për natyrën. Ish-mësues dhe ish-drejtor shkolle për më shumë se 30 vite, ai ka zgjedhur një rrugë krejtësisht tjetër pas daljes në pension: bletarinë.
“Para 10 vitesh isha një bletar amator, sot e quaj veten bletar me plot gojë,” thotë Gëzimi për DritareTV, ndërsa tregon për rrugëtimin e tij nga arsimi në bujqësi. Sot, ferma e familjes së tij nuk ofron vetëm mjaltë, por edhe qumësht blete, propolis, polen, madje edhe uthull molle të egër, një tjetër produkt që bujqësia natyrore e Zhapokikës ofron me bujari.
Megjithatë, pasioni i tij nuk mjafton për të mbushur boshllëkun e madh që ndjen: mungesën e punëtorëve dhe sidomos të të rinjve në këtë profesion. “Te grupi ynë në Zoom jemi 3500 vetë dhe nuk shikoj pothuajse asnjë të ri nën 40 vjeç. Askush nuk e do më lodhjen. Bletaria kërkon lodhje, përkushtim, dashuri dhe durim,” tregon ai.
Shehu rrëfen se për të, bletaria nuk është vetëm burim jetese, por edhe një mënyrë për të gjetur paqe shpirtërore. “Kur hyj te bletët harroj çdo hall. Edhe hallet e mëdha të shtëpisë i lë mënjanë,” thotë ai me një buzëqeshje të qetë.
Por përtej romantizmit të kësaj pune, realiteti është i ashpër. Gëzimi vuan mungesën e fuqisë punëtore, edhe për detyrat më të thjeshta si ngarkimi i bletëve në makinë. “I ofroj 30 mijë lekë vetëm për të ngritur disa arka bletësh në makinë, por nuk gjej asnjë që pranon,” thotë ai, duke nënvizuar se mosha tashmë po e kufizon dhe nuk ka më energjitë e dikurshme.
Fatmirësisht, pasioni për bletarinë nuk është zhdukur krejtësisht në familjen Shehu. Djali i tij, Alkesti, ka nisur të angazhohet në këtë rrugë dhe sheh leverdi në të, jo sepse sjell pasuri, por sepse ka ndihmuar për të përballuar sfidat ekonomike të përditshmërisë.
“Bletarë të pasur nuk ka. Ka vetëm njerëz që dashurojnë zanatin,” shprehet Gëzimi, ndërsa përmend me respekt edhe kolegë nga Kosova e Shqipëria që janë të apasionuar pas bletarisë. Ai përmend se lidhja me këtë profesion është edhe shpirtërore, dhe rrënjët e tij si mësues e kanë ndihmuar të mos ndalet së mësuari dhe eksperimentuari.
Në fund, me një zë që përzien dashurinë për natyrën me shqetësimin për të ardhmen, Gëzim Shehu bën një apel për brezin e ri: “Meraku im më i madh është që nuk po shoh të rinj që të merren me bletën. Jemi në kohën e elektronikës, por nëse zhduket bleta, zhduket 70% e bimësisë. Pa bletën nuk ka jetë.”
Një burrë i thjeshtë nga Zhapokika, me një mesazh të thellë për botën moderne: të mos harrojmë krijesën më të shenjtë të natyrës, bletën./K.C/dritare.net

















