Merz: BE-ja mund të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit nëse ka marrëveshje me SHBA-në
Dritare.net

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të shqyrtojë një lehtësim gradual të sanksioneve ndaj Iranit, në rast se arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërkombëtare.
Pas samitit të Bashkimit Evropian në Nikozi, Merz u shpreh se “reduktimi i sanksioneve mund të jetë pjesë e procesit”, duke shtuar se deri më tani “askush nuk e ka kundërshtuar këtë ide”. Sipas tij, një qasje e tillë mund të konsiderohet si pjesë e mbështetjes që Evropa mund të ofrojë për të çuar përpara negociatat dhe për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi afatgjatë.
Merz theksoi se çdo lehtësim i mundshëm do të ishte i kushtëzuar nga progresi diplomatik dhe nga një marrëveshje e gjerë që garanton stabilitet dhe siguri në rajon.
Megjithatë, ky qëndrim është pritur me kujdes nga disa liderë të tjerë të BE-së. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi në një konferencë për shtyp pas samitit se është ende herët për të diskutuar heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, duke nënvizuar nevojën për kujdes në këtë fazë të negociatave.
Debati brenda BE-së pasqyron dallimet në qasjen ndaj Iranit, ndërsa përpjekjet diplomatike për një marrëveshje të re vazhdojnë./K.C/dritare.net