“Misa a Buenos Aires”, këtë të premte në TKOB, si fillimi i një triologjie
Dritare.net

Një projekt i ri artistik po merr formë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku tangoja nuk do të vijë thjesht si stil muzikor apo koreografik, por si një një udhëtim shpirtëror, si një eskperiencë artistike, e munguar në llojin e vet këtu në Tiranë.
“Misa a Buenos Aires” e Martin Palmer, do të vijë në datat 24- 25 Prill, me regji, të Vikena Kamenicës. Një projekt i ri ky i Kamenicës në rolin e saj si regjisore, që po shenjon fillimin e një triologjie të tërë, që do ta titullojë, “Tri Tango”.
Ky rrugëtim nis me “Misa a Buenos Aires” të Martin Palmer, një vepër e pazakontë që bashkon ritualin sakral të meshës katolike me energjinë dhe sensualitetin e tangos argjentinase. Në këtë pikënisje, tangoja shndërrohet në simbol të Shpirtit. Tingulli dhe lëvizja do të shkrihen në një gjuhë të vetme artistike. Balerinët do të vallëzojnë në skenë si zgjatim i muzikës… me koreografi të Enada Hoxhës dhe kostumografi të Ardi Asllanit. Vepra do të bëjë bashkë Orkestrën e Harqeve & Trupës së Baletit të TKOBAP, në bashkëpunim me Korin e Filharmonisë së Kosovës, dirigjuar nga Sergio Alapont.

Në njoftimet që teatri ka publikuar, thuhet se Kamenica do të jetë edhe në rolin e interpretueses. Ç’ka do të jetë një element surprizë, i konceptuar me shumë mençuri artistike… që pritet ta zbulojmë vetëm kur të jemi të ulur aty, përballë skenës ku tingujt e levizjet e “meshë tangos” të nisin të na përfshijnë në magjinë e vet. Do të jetë pikërisht ky element, ai filli lidhës i triologjisë që po nis me “Misa a Buenos Aires”, që ndryshe njihet edhe si “mesha tango”, e që do të vijojë me “Hijet” e më pas për të arritur kulmin me “Në zjarr”, si një mix tango i fuqishëm./dritare.net
