Çfarë ndodhi brenda sallës kur u dëgjuan të shtënat në Darkën e Korrespondentëve! Flet gazetari
Dritare.net

Korrespondenti i BBC-së për Amerikën e Veriut, Gary O'Donoghue, ka përshkruar momentet dramatike brenda sallës në Washington Hilton, kur u dëgjuan të shtënat gjatë Darkës së Korrespondentëve.
“Sa sapo kisha lënë thikën dhe pirunin dhe pothuajse nuk i vura re zhurmat e forta që vinin nga përpara meje, në drejtim të hyrjes kryesore të sallës,” rrëfen ai.
“Në fillim pata një lloj konfuzioni… por brenda pak çastesh mendova: ky është tingulli i rëndë dhe i ulët që bëjnë armët gjysmëautomatike.”
Ai shpjegon se mbështetet tek tingujt, dhe ajo që dëgjoi më pas ishte thyerja e xhamave.
“Pastaj ndjeva kokën e kolegut tim Daniel që kaloi pranë meje dhe kuptova se ai po hidhej në tokë. Kështu bëra edhe unë.”
Gazetari, i cili nuk sheh, përshkruan se u gjend menjëherë në gjunjë, poshtë tavolinës.
“Isha pothuajse i sigurt: një tjetër e shtunë në mbrëmje, një tjetër event presidencial… dhe në mes të një tjetër sulmi me armë.”

O'Donoghue kujton se kishte qenë i pranishëm edhe në Butler, Pensilvani, në korrik 2024, kur presidenti Donald Trump i shpëtoi për pak një atentati.
“Pas atij sulmi kishte britma dhe njerëz që vraponin kudo. Këtë herë ishte ndryshe, brenda sekondash, të gjithë ishim nën tavolina.”
Një koleg i tij tregoi se gjatë të shtënave kishte parë dhjetëra persona që hynin me vrap në sallë nga korridoret jashtë.
Për rreth 5 deri në 10 minuta, të pranishmit qëndruan të fshehur, duke pritur me frikë nëse autori i armatosur do të hynte edhe në sallë dhe do të hapte zjarr ndaj rreth 2,500 personave të pranishëm.
Një tjetër kolege pa agjentët e Shërbimit Sekret në skenë duke larguar me urgjencë presidentin Trump, Zonjën e Parë Melania Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance.
Agjentë të tjerë, të pajisur me helmeta dhe jelekë antiplumb, mbanin armët të drejtuara nga turma, duke kërkuar për kërcënime të tjera të mundshme.
Pak para nisjes së eventit, gazetari kishte takuar edhe Sekretarin e Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. në një dhomë pranë sallës. “Më tha se ishte i uritur dhe mezi priste të fillonte darka,” kujton ai.
Ndërkohë, drejtori i FBI, Kash Patel, ndodhej gjithashtu në sallë dhe u shtri në tokë së bashku me të tjerët, duke mbrojtur partneren e tij, ndërsa një agjent i Shërbimit Sekret vrapoi për ta ndihmuar.

Menjëherë pas të shtënave, pyetjet kryesore ishin: çfarë ndodhi, pse ndodhi, dhe mbi të gjitha, si ishte e mundur që një person i armatosur të afrohej sërish kaq pranë presidentit?
Edhe pse rrugët rreth hotelit ishin mbyllur për orë të tëra nga forcat e rendit, siguria brenda ambienteve nuk dukej veçanërisht e rreptë.
Sipas gazetarit, kontrolli në hyrje ishte minimal. “Punonjësi te dera hodhi vetëm një sy të shpejtë mbi biletën time nga disa metra larg.”
Edhe kontrolli me detektor metalik ishte sipërfaqësor. “Agjenti nuk i kushtoi shumë rëndësi sinjaleve që vinin nga sendet në xhepin tim dhe nuk më kërkoi t’i nxirrja.”

“Me pak fjalë, siguria dukej si në një Darkë të zakonshme të Korrespondentëve, jo si në një event ku merr pjesë presidenti në detyrë,” thekson ai.
Pas incidentit, të pranishmit u mbajtën brenda sallës, ndërsa përpiqeshin me dëshpërim të lidhnin telefonat për të raportuar dhe për të marrë më shumë informacion.
“Nuk doja të mendoja shumë për përmasat e asaj që kishte ndodhur,” thotë ai.
“Por ajo ndjesi e lehtë në sy… kur fillon të mendosh për atë që mund të kishte ndodhur dhe sa herë mund ta përjetosh këtë në këtë vend përpara se fati të të lërë.”/K.C/dritare.net