Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nipi i Sali Vranishtit: S’mund të bëjmë heronj tradhtarët e Shqipërinë

Nipi i Sali Vranishtit: S’mund të bëjmë heronj

I ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV, Arben Saliu ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me mënyrën se si trajtohen figurat historike shqiptare.

Duke folur për gjyshin e tij, Sali Vranishtin, ai theksoi se nuk mund të barazohen patriotët me ata që, sipas tij, kanë vepruar kundër interesave të vendit. “S’mund të bëjmë heronj tradhtarët e Shqipërisë”, u shpreh Saliu, duke kritikuar interpretimet historike që, sipas tij, deformojnë të vërtetën.

Ai solli edhe një ndarje të fortë mes figurave kombëtare, duke thënë se ekzistojnë “patriotë me kohë të plotë dhe patriotë me kohë të pjesshme”, duke nënkuptuar se jo të gjithë ata që janë përfshirë në histori kanë pasur të njëjtin përkushtim ndaj çështjes kombëtare.

Në rrëfimin e tij, Saliu theksoi se gjyshi i tij nuk përfitoi nga pozitat që kishte, por përkundrazi sakrifikoi gjithçka për vendin. “Ai shiti pasurinë për Shqipërinë, jo Shqipërinë për pasurinë”, tha ai, duke e krahasuar me figura të tjera të periudhës së pavarësisë si Ismail Qemali dhe Abdyl Frashëri.

Saliu gjithashtu hodhi kritika ndaj Eqrem Bej Vlora, duke e paraqitur atë si një figurë në kundërshtim me lëvizjen patriotike të kohës, çka sipas tij tregon nevojën për një rishikim më kritik të historisë.

Deklaratat e tij kanë rindezur debatet mbi interpretimin e figurave historike dhe rolin e tyre në periudha kyçe të historisë së Shqipërisë.

“Gjyshit tim i është bërë një anatemim i padrejtë, duke e quajtur grabitës apo kusar, por kjo nuk qëndron. Ai kishte mundësi të bëhej një nga njerëzit më të pasur në Vlorë, sidomos kur Ismail Qemali e emëroi komandant të parë të sigurisë publike. Por ai nuk zgjodhi pasurinë.

Po të ishte siç e përshkruajnë disa, do kishte prona, toka dhe pasuri. Në vend të kësaj, ai vdiq në varfëri të plotë, pa lënë asgjë materiale pas. La vetëm dy gjëra: zemrën dhe pushkën, si simbol i patriotizmit dhe trimërisë.

Ndërkohë, figura si Eqrem Bej Vlora nuk kanë qenë në anën e lëvizjes patriotike në momentet kyçe të historisë.

Ne nuk mund të bëjmë heronj tradhtarët e Shqipërisë. Ka patriotë me kohë të plotë dhe patriotë me kohë të pjesshme. Dallimi është i qartë: disa e kanë dhënë gjithçka për vendin, ndërsa të tjerë kanë bërë pazare me fatet e tij.

Gjyshi im ishte nga ata që shiti pasurinë për Shqipërinë, jo Shqipërinë për pasurinë.”/L.F-dritare.net