Nuk kam jetuar, kam luftuar! Historia e shkrimtares, Xhuljeta Ferraj
Dritare.net

Në një intervistë të gjatë dhe emocionale në emisionin “Intervista e Ditës” në DritareTV, shkrimtarja dhe artistja Xhuljeta Ferraj ka ndarë një rrëfim të thellë mbi jetën e saj, duke kaluar nga arti dhe krijimtaria, te emigrimi, familja dhe sfidat e vështira personale. Që në nisje të bisedës, ajo u shpreh me një reflektim të fortë mbi shoqërinë moderne, duke thënë se “kush e ka shpirtin e varfër është i uritur dhe i zbathur”, ndërsa shtoi se sot shpesh mungojnë ndjenjat e sinqeritetit dhe dashurisë mes njerëzve.
Nga Shqipëria e trazuar në emigrim
Ferraj rrëfeu se është larguar nga Shqipëria në një periudhë të vështirë, duke e përshkruar atë kohë si të mbushur me pasiguri dhe dhunë. Ajo tha se adoleshenca e saj është formuar mes frikës dhe mbijetesës:
“Ishte një periudhë shumë e vështirë… nuk po mendoje për artin, por si të mbijetoje.”
Sipas saj, lufta dhe kaosi i viteve ’90 i ndryshuan rrjedhën e jetës, duke e detyruar të largohej drejt Italisë, ku më pas ndërtoi jetën e saj familjare dhe artistike.
Arti si dhunti dhe ndikimi i Anita Bitrit
Një pjesë e rëndësishme e rrëfimit të saj lidhej me fillimet në art dhe ndikimin e figurave që e kanë formuar. Ferraj kujtoi me emocion mësuesen e saj të muzikës, këngëtaren e njohur Anita Bitri:
“Ajo ishte profesorja që vuri re talentin tim… më thoshte gjithmonë të këndoja me diafragmë dhe të mos e lija zërin të shuhej.”
Ajo shtoi se këshillat e saj për disiplinën artistike e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës:
“Mos e lër asnjë ditë pa kënduar… edhe në dush, edhe duke gatuar.”
Familja, sakrificat dhe emigrimi në Itali
Artistja tregoi se ka jetuar prej më shumë se dy dekadash në Itali, ku ka ndërtuar jetën e saj mes punës, artit dhe rritjes së fëmijëve. Ajo e përshkroi emigrimin si një rrugëtim të vështirë. Ferraj foli edhe për rolin e prindërve të saj në formimin artistik, duke theksuar se talenti i saj është një bashkim i trashëgimisë familjare: nëna stiliste dhe babai muzikant.
Rrëfime të forta për jetën personale
Në pjesën më të ndjeshme të intervistës, ajo foli për periudha të vështira në jetën personale, duke përmendur dhimbje dhe sfida të shumta. Ajo u shpreh se ka kaluar vite të tëra përballjesh dhe sakrificash:
“Më është dashur shumë kohë dhe forcë për të arritur këtë qetësi që kam sot.. Forca do të thotë të përballosh çdo vështirësi të jetës pa u dorëzuar.”
Mesazhe të forta për shoqërinë
Në intervistë ajo nuk kurseu kritikat ndaj shoqërisë, duke folur për xhelozinë, mungesën e mbështetjes dhe paragjykimet. Sipas saj, shpesh njerëzit nuk mbështesin suksesin e njëri-tjetrit:
“Nuk duan ta shikojnë shoqen mbi vete, duan ta shikojnë poshtë vetes.”
Ajo shtoi se kjo sjellje vjen nga pakënaqësia dhe boshllëku shpirtëror:
“Shumë njerëz janë të pakënaqur me jetën e tyre… dhe kjo shfaqet si xhelozi.”
Arti dhe krijimtaria letrare
Ferraj prezantoi edhe veprat e saj letrare, përfshirë librin “Një shpirt me ngjyra”, të cilin e përshkroi si një reflektim të jetës së saj. Ajo theksoi se për të, arti është mënyrë jetese:
“Jeta ime është një poezi… gjithçka që shkruaj vjen nga thellësia e shpirtit.”
Mesazh për të rinjtë
Në fund të intervistës, ajo dha një mesazh motivues për të rinjtë, duke i inkurajuar të mos dorëzohen përballë vështirësive:
“Çdo gjë arrihet, por duhet guxim, forcë dhe dinjitet.”/K.C/dritare.net