Guardia di Finanza shton monitorimin nga ajri në Shqipëri: Fokus zonat e thella dhe veriu i vendit
Dritare.net

Përfaqësuesit e Guardia di Finanza-s kanë bërë të ditur se është shtuar monitorimi nga ajri në kuadër të bashkëpunimit me Policinë e Shtetit për luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Në një konferencë të përbashkët për mediat me përfaqësues të lartë të Policisë së Shtetit, ku ishte i pranishëm edhe drejtori Skënder Hita, përfaqësuesit italianë vlerësuan rezultatet e arritura nga bashkëpunimi mes dy institucioneve.
Sipas Guardia di Finanza-s, përdorimi i mjeteve moderne të vëzhgimit ajror, përfshirë helikopterët e pajisur me sensorë të avancuar, ka rritur mundësitë për identifikimin e zonave të dyshimta dhe monitorimin e territoreve të vështira për t'u aksesuar.
Përfaqësuesit e këtij institucioni theksuan se janë arritur edhe zona të izoluara, veçanërisht në veri të Shqipërisë, ku sipas tyre konstatohet një përqendrim më i madh i përpjekjeve për kultivimin e kanabisit.
Ata shtuan se trafikantët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt zonave të largëta dhe të izoluara, ndërsa monitorimi nga ajri synon të kufizojë hapësirat ku mund të kultivohen lëndë narkotike.
Guardia di Finanza vlerësoi se shtimi i kapaciteteve operative dhe përdorimi i teknologjisë moderne kanë rritur efikasitetin e operacioneve të përbashkëta kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve./L.F-dritare.net