
Grida Duma sulmon Sadri Abazin, i përgjigjet Taulant Balla
Dritare.net

Ajo e akuzoi deputetin socialist Abazi se kap çdo tender kudo ku futet, nga ana tjetër i mbyll gojën kujtdo që mund të ankohet pasi ka kapur edhe KPP-në.
"Kemi sot disa pyetje që kërkojnë përgjigje.
-A është sot një prej drejtuesve të kompanisë së Sadriut, funksionar i lartë i KPP, komisionit të prokurimeve publike?
-A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i kompanisë së Sadriut, me një funksionare të lartë të KPP?
Komisioni i Prokurimeve Publike, është zyra kryesore ku shqyrtohen ankesat që kanë subjektet kur shohin shkelje apo padrejtësi.
Nga njëra anë, Sadriu kap çdo tender kudo ku futet, nga ana tjetër i mbyll gojën kujtdo që mund të ankohet pasi ka kapur edhe KPP-në.
Ky pra është korrupsioni i Edi Ramës, ka thënë Duma.
PD denoncoi dy ditë më parë, ndërhyrjen e Taulant Ballës, që Abazi të merrte një tender me një shifër prej 780 milionë lekësh, ndërkohë që të njëjtën pune ofertuesi i dytë do ta bënte me 250 milionë lekë më pak.
Denoncimit të Grida Dumës i është përgjigjur me akuza Taulant Balla, i cili ka thënë se nuk ka bërë ndërmjetësime, siç e akuzon PD.
"Së pari, deklaroj me përgjegjësi se nuk kam bërë ndonjëherë ndërmjetësin, siç thotë në deklaratën e saj Grida Duma. Sigurisht për këtë çështje do t’i drejtohem drejtësisë kundër këtij mashtrimi. Është shumë fyese të të akuzojë për ndërmjetës dikush që është e njohur botërisht për seksere, e cila ka shitur shtëpinë e një doktori dy herë.
Së dyti, dua të informoj opinionin publik se ky person me inicialet G.D. është një person i hetuar për mashtrim personash për fakte të njohura botërisht. Znj.Duma shiti të njëjtin apartament në dy njerëz të ndryshëm. Dhe e bëri këtë në të njëjtën ditë. Në maj 2014 znj.Duma, është paditur në gjykatë për mashtrim në cilësinë e aksionares së një kompanie ndërtuese", ka thënë Balla.

















