Gjithçka gati për koncertin e Kanye West, fansat mbushin “Eagle Stadium”
Dritare.net

Këngëtari i njohur amerikan Kanye West ka mbërritur në Tiranë, ku mbrëmjen e sotme pritet të ngjitet në skenën e “Eagle Stadium”, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës.

Qindra fansa u mblodhën që prej orës 17:00 pranë stadiumit, i ngritur posaçërisht për koncertin, për të pritur performancën e artistit me famë botërore.

Para koncertit, West u prit në Kryeministri nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit publikoi në rrjetet sociale pamje nga takimi, të shoqëruara me muzikë të artistit.
Gjatë takimit, Rama i dhuroi këngëtarit librin “The Albanian Files”, të redaktuar nga Anneke Abhelakh. Botimi përmbledh kapituj kushtuar 60 studiove ndërkombëtare të arkitekturës që po zhvillojnë projekte në Shqipëri. Kryeministri dhe artisti realizuan edhe një fotografi me librin.

Koncerti i Kanye West pritet të nisë në mbrëmje në “Eagle Stadium”, një hapësirë prej rreth 65 mijë metrash katrorë, e ndërtuar posaçërisht për organizimin e këtij eventi.