Na ndiqni edhe në

Editorial

Fredi, Rapsodi i Shëngjinit

Fredi, Rapsodi i Shëngjinit
Mos e humbisni episodin e trete të ciklit Shqiptarët e Mrekullueshëm. Ky episod i kushtohet shefit të kuzhinës, që i bën nder çdo vendi që e ka. E kemi ne, është shqiptar. Shqiptar i mrekullueshëm. Rudina Xhunga e sjell për ju në bashkëpunim me ABI Bank në kanalin tone youtube 'Dritare me Rudinën'.

Shef Fredi është modest, kur flet për veten. Nuk e pranon se është më i mirë, as bën reklamë për veten. Në intervistën me Rudinën ai tregon: "Jam një shef autodidakt, fiks një rapsod popullor. Dhe kjo ka histori të bukur. Sepse kështu nisi Rapsodia. Unë isha në Itali, kamerier dhe një kliente gjermane më thotë: "Fredi, të lutem, një pjatë çfarë të duash ti." Sepse nuk qe shefi. Ia bëra pjatën dhe ajo e quajti, "Rapsodi jeshile" Emri më tingëlloi aq shumë familjar, sa u bëra çuditshëm. Kjo është gjermane dhe më thotë Rapsodi në jeshile, po le ta pyes njëherë thashë, çfarë do të thotë në gjermanisht fjala rapsodi? Realisht kishte të njëjtin kuptim. Janë ata artistë, ata muzikantë popullore, autodidakte. Asaj i kishte shijuar aq shumë sa e quajti "Rapsodi jeshile". Sepse e gatuante një djalë që ishte autodidakt. Unë nga ai moment, me këtë emër, rashë në dashuri. Edhe unë e quajta veten, një rapsod të vogël në kuzhinë. Dhe kështu nisa të krijoj brandin tim, Rapsodinë.

Atje në Itali kisha një klient italian, ishte doktor. Ai kë s'më ka sjellë,  gazetarë, guida të restoranteve të ndryshme. Dhe në një moment, duke pirë një natë një gotë verë, ra muhabeti i shqiptarëve. Edhe më tha: "Unë i urrej shqiptarët." "Pse i urren shqiptarët?",- i thashë unë. "Janë hajdutë, janë kështu, janë ashtu." I thashë: "Unë jam shqiptar. " "S'besoj, ti s'je shqiptar, ti po më gënjen." "Jam shqiptar!" "Ore më sill dokumentet se nuk të besoj.",- më tha. Dhe unë shkova e mora pasaportën. Më thotë ai: "Ti këtu po më bën me hile, se nuk je shqiptar." Por unë i thosha se jam shqiptar. Dhe aty ndjeva se duhej të kthehesha  në vendlindje, të jepja kontributin tim, për një zhvillim, jo vetëm ekonomik, por të ndikoja që të tjerë të rinj si unë të mund të prezantoheshin denjësisht si shqiptarë. Doja dhe dua të nxis të rinjtë të kenë një dëshirë, që të bëhen njerëz punëtorë. Të kenë dëshirën të bëhen profesionistë, dhe ta arrijnë ne jetë falë punës, dhe sakrificave . Besoj, çdo shqiptar ka dëshirën e vet të rikthehet dhe të japë kontributin e tij.

https://www.youtube.com/watch?v=nmN3T2qWpaM&list=PLhLEilFQtJMsUjOuJe1EiwzmKj3_xSBmm

Unë realisht isha mirë në Itali dhe pata hyrë në ato kanalet e duhura, të guidave,  të reklamave te mira. Drejtoja një agroturizëm dhe ditë të mira dhe emër të mirë kisha përpara. Por prapë kthimi në vendlindje, për të ndërtuar diçka nga fillimi është një kënaqësi, nga e cila nuk e privon dot veten, as familjen tënde.  Prandaj këtu bëhesh më i fortë dhe më i lumtur. Vështirësitë ta bëjnë jetën të tillë. Imagjino në 2006-ën, kur restorantet më të mirë ishin ato që sillnin pjatat sa më plot. Pjata dilte si formë mullari. Imagjino, ti vije me një koncept italian, me një koncept ndryshe, dhe thosha, djathin  e kam marrë këtu, tjetrën te ky fshatari tjetër, shok me kasapin, se ai të sillte produkte të mira. I thosha, jo do të sjell nga pak. Jo, thoshte ai se shqiptari e do pjatën grumbull. Edhe aty fillon e hyn debati pse shqiptari e ka qejf pjatën grumbull. Realisht, nuk është kulturë e jona. Pjata me shumë ka ardhur mbas viteve '90. Për të pritur një mik duhej mezja. Pra kultura jonë është mezja. Ato, sepse  vlerat kryesore i kishte miku, biseda, gota e rakisë, dhe mezja."

Kur Rudina e pyet Fredin, mos duhej të ishte në Tiranë që të ishte mbreti, ai përgjigjet:

"Këtë pyetje ma kanë bërë shumë. Në 2006-ën ka qenë Mentor Kikia që ma ka bërë. "Fredi mos po bën investimin e gabuar?" Unë i vendosur thashë:"Jo!". "Pse? Është më mirë të vish në Tiranë, Fred.",-më tha. Unë jam kundër që çdo gjë të fokusohet te Tirana. Duhet të shpërndahet. Ne nuk mund të fokusohemi në një vend, që të marrë zhvillimin vetëm një vend. Duhet të shpërndahemi. Ku ka gjë më të bukur, se të mbarosh punën, të vish në Lezhë dhe të hash një darkë e të kthehesh në shtëpi. Sot rrugët janë të ndërtuara. Çdo gjë do rregullohet, do kohën e vet. Unë e mbaj mend që për të shkuar në Tiranë, dikur bëhej plan një muaj përpara. Një ditë për të shkuar, një ditë për të kryer punët, e një ditë për t'u kthyer, dhe një ditë për të pushuar se të lodhte rruga. Tani vjen, shijoj ushqimin e kthehesh në shtëpi.

Një nga nismat e mia ka qenë edhe bashkëpunimi me shkollën profesionale në Lezhë.  Marr praktikantë dhe dua t'i rris. Se e quaj detyrë timen, që të ofroj nesër, në të ardhmen, profesionistë të rinj, të mirë, profesionistë që e duan këtë profesion. Por ne kemi një problem të madh. E kam thënë dhe dua ta përsëris, niveli profesion në Shqipëri është shumë i vogël. Secili nga ne e ka detyrë që të investojë me rritjen e njerëzve profesionalë."/dritare.net