
Flet psikologia/ A është ngjitëse dëshira për të lënë Shqipërinë dhe ikur jashtë!
Dritare.net

Nga Enila Cenko-Psikologe
Dëshira për t’u larguar nga vendi në kërkim të më shumë mundësive dhe të një jete më të mirë nuk është risi për shoqërinë shqiptare. Në fakt, joshja ndaj të jetuarit në botën e zhvilluar është e rrënjosur thellë në kujtesën tonë kolektive dhe shoqërohet me mendësinë që të jetosh jashtë Shqipërisë përkthehet automatikisht në një cilësi më të lartë jetese. Ky premtim përcillet në mënyrë të pandërgjegjshme nëpër shoqëri dhe përforcohet nga histori të zbukuruara të të jetuarit në perëndim ku, sigurisht, detajet e jetës së përditshme dhe vështirësive të shumta të përshtatjes së të jetuari në një kulturë të ndryshme nga e jona lihen jashtë. Pra, kjo dëshirë dhe nxitje për t’u larguar shpesh merr karakter “ngjitës” pasi kthehet në një fenomen shoqëror më shumë se individual.
Në aspektin individual, vendimi për t’u larguar ose jo është shumë kompleks dhei varur nga faktorë shumë specifikë që nuk mund të përgjithësohen nga njëri rast tek tjetri. Për t’u konsideruar nuk është vetëm çfarë lë mbas në Shqipëri dhe çfarë fiton aty ku do shkosh, por dhe cilat janë vlerat më të rëndësishme të individit që po merr këtë vendim. Ndonëse është shumë e mundur që jashtë Shqipërisë, dikush të përfitojë më shpejt e më shumë në aspektin financiar, ky përfitim vjen me koston e lartë të humbjes së kënaqësisë që të japin marrëdhëniet njerëzore në familje dhe shoqëri si dhe të shtimit të ndjesisë të të qënit gjithmonë i huaj në vendin që të pret. Në marrjen e këtij vendimi, çdokush mirë është të mos bjerë pre e mendësisë kolektive, por të bëjë një analizë të thelluar e të mirëinformuar individuale. Një teknikë që përdorim në terapi për të ndihmuar në marrjen e vendimeve mëson dikë që pasi të ketë mbledhur sa më shumë informacion mbi të mirat dhe të këqijat e marrjes së këtij vendimi, ti listojë ato ballë për ballë me njëra tjetrën dhe të vendosë nga anon peshorja. Në këtë mënyrë fitojmë më shumë kontroll mbi vendimet tona dhe forcojmë aftësinë për t.u mos ndikuar nga të tjerët./ Dritare.net

















