
Unë do të rri në Dhërmi këtë verë. Po ti?
Dritare.net
Nga Fjorda Llukmani
A e dini se Dhërmiu është fshati me më shumë kisha në botë? Kjo në raport me numrin e popullsisë e të banorëve që jetojnë aty. Janë rreth 40 kisha, disa prej tyre me histori 1200-vjeçare. Emri "Dhërmi" mendohet që vjen nga greqishtja “drimadhes” apo dushk ose termi “dhromo” që do të thotë rrugë, meqë fshati ndodhet buzë rrugës. Dikush tjetër më shkruan në Facebook: “Emri Dhërmi në lashtësi dhe deri në vitet 1500 quhej Germines. Të paktën kështu është nëpër hartat e mesjetës. Nga ana etimologjike fjala “greminës” duhet analizuar më tej, por në pamje të parë është variant i fjalës greminë, e cila në fakt duhet të jetë te fjalët e vjetra shqip.”
Në bibliotekën e gjyshit tim më tërhiqte kopertina e librit “Shpella e Pirateve” nga Petro Marko dhe kur pashë filmin më shtyu kurioziteti për ta parë nga afër. Kuptova se shpella ndodhej në Dhërmi, por xhirimi nga brenda është bërë në një prej shpellave të Karaburunit. Këtë të fundit s’e kam zbuluar akoma. Me detin e Dhërmiut u njoha në vitin 2001 që kam qenë 6 vjeçe. Mbaj mend që bëmë plazh diku pranë vilës qeveritare. Gjithë fisi qëndruam nëpër karrige nën pisha ku ka patur dhe bunkerë të paprishur pasi s’kishte shumë hotele asokohe. Ishte shtator dhe përjetova për herë të parë shiun në plazh.
Vitet e fundit duke u rritur e pjekur fillova të vlerësoj më shumë historinë, se thjesht detin pllaq e plluq. Kush më thotë çfarë ndryshimi kanë imazhet e Dhërmiut me fshatrat e Italisë, Spanjës e Francës? Eduard Liri që vizitoi Dhërmiun në 1848, në librin e tij të udhëtimeve tregon se: “Është më i madhërishëm në vendosjen e tij se çdo vend tjetër që kam parë dhe i ngjan jo pak Amalfit.” Ai shton se: “Qytetërimi i kësaj pjese të Shqipërisë është tepër lart pjesëve të tjera.” Bashkohem me mendimin e tij plotësisht.
Gjatë udhëtimeve të mia jashtë shtetit kuptoj që fshatrat e jugut nuk kanë asgjë më pak se të tjerat në Evropë, vetëm infrastrukturë dhe kulturë shërbimi. Kaq! Me pak punë do të arrijmë dhe ne në nivele turizmi si gjithë dynjaja.
Prej pak vitesh në Dhërmi po punohet për rikthimin e fshatit në identitetin e vjetër. Të them të drejtën identiteti s’i ka humbur kurrë, por duhet pak sistemim. Një dorë njeriu me një ide është më mirë se disa së bashku me mendime të ndryshme. Rrugicat po shtrohen me kalldrëm dhe shtëpitë e vjetra janë rindërtuar. Kishat e vogla nuk mungojnë nëpër qoshe ku fëmijët do të kënaqeshin duke luajtur kukafshehtas.
Këtë verë pasi të shukeni në diell planifikoni një pasdite për të parë perëndimin nga fshati. Shtëpitë me rrugica të ngushta e tjegulla ngjitur njëra-tjetrës kanë gjithmonë në sfond detin dhe diellin.
Ballkonet e vogla të ftojnë për mëngjese e darka në çift. Vend shumë romantik që të jep kënaqësi shpirtërore. Mendoj se zhurma e festat duhen lënë buzë detit, kurse qetësia buzë shpateve të maleve Vetëtimë Pritëse (kështu quhen vargmalet në këtë zone). E imagjinova veten duke pleqëruar e kujtuar me miqtë e mi kohërat e arta të rinisë. Këtu i kaloja vitet e fundit të jetës me qejf sepse ka gjithmonë diell edhe në dimër.
Po të përshëndeteni me banorët do të shikoni sa u bëhet qejfi dhe janë gati t’u japin informacione për vendin e tyre nëse i pyesni. Mos kini idenë që “këta janë grekë”. Duhet të kuptoni se edhe ju po të jetonit në një qytet ku keni patur benefite nga një shtet i huaj më shumë se i juaji, patjetër do e donit e thurni lavde gjithmonë. Shkoni te Manastiri i Shën Mërisë që shtrihet mbi fshat. Përveç pamjes fantastike, me këtë rast bëni dhe aktivitet fizik. Mos më hiqni zarin duke më thënë që “s’ke çfarë bën këtu”. Ju s’dini, jo s’keni!
Ikjen e dhërmiotëve në emigrim Petro Marko e përshkruan kaq bukur, duke më kujtuar arsyen pse të gjithëve na pëlqen kaq shumë ky vend. “Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re. Vijnë, qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut, mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiut.” Unë këtë verë do të rri, nuk iki. Po ti?/dritare.net

















