
Fjala e Edi Ramës për rrugën e Arbrit duhet të jetë plasja e minave në tunelin e Qafë Murrizës
Dritare.net

Kryeministri ishte në Peshkopi për të prezantuar kandidatin e PS për bashkinë e Dibrës dhe, sigurisht, ka bërë bilancin e punëve të qeverisë së tij në këtë rreth për të përgatitur fjalimin.
Me siguri që rezultatet nuk kanë qenë pozitive, sidomos përsa i përket njërës nga çështjes më kryesore, ndërtimit të hidrocentraleve mbi Drin; Katundi i Ri dhe Skavicës. Kështu që për të mbushur fjalimin, i mjafton të merret me çështjen e Rrugës së Arbrit. Sepse kjo ka qenë një kërkesë e vjetër dhe e vetme e dibranëve dhe tani edhe gënjeshtër të thuash rreth saj, vijnë si ninulla dhe të vënë gjumë me ëndrrra të bukura.
Nga fjalimi i Ramës (Kryeministër) në prezantimin e Ramës (Muharem) për kryetar Bashkie në Dibër, po shkëpusim vetëm paragrafin më poshtë:
"Përsa i përket rrugës së Arbrit, Rama tjetër (Luan - B.K.) tha një të vërtetë, që në 20 e ca vjet, të gjithë e kemi premtuar dhe nuk e kemi bërë. Unë e kam premtuar, por akoma nuk mund të thoni që nuk e kam bërë. Sigurisht, unë kam barrën që të bëj gjërat që dëshirojnë të gjithë anëtarët e koalicionit, - kjo është detyra ime dhe unë nuk ankohem për këtë detyrë, sepse e kam marrë me dëshirë dhe vullnet të madh, - por unë po ju them këtu, që unë nuk do të largohem nga zyra e Kryeministrit , pa bërë Rrugën e Arbrit.”
Nuk mund të themi që kryeministri bën mirë që flet për Rrugën e Arbrit, por do të ishte më mirë që tani të mos fliste fare. Sepse ai me vetëdije ka heshtur gjatë tri viteve në qeverisje, duke krijuar përshtypjen se kjo çështjë është në dorën e tij dhe procesi do të vazhdojë sipas dëshirës së tij.
Nga pikëpamja politike Edi Rama mund të mos e mbajë premtimin për Rrugën, pasi partia e tij nuk i ka marrë shumicën e votave në këtë qark, por gjatë fushatës së kaluar ai kishte premtuar se nuk e shikonte këtë çështje si premtim partiak, por si “një projekt kombëtar shumë të rëndësishëm për Shqipërinë”.
Kryeministri do të flasë sërish deri më 11 shtator për Dibrën dhe, sigurisht, që do të përmendë edhe Rrugën e Arbrit, por ndoshta heshtja rreth kësaj çështje do t’i bënte më mirë fushatës së tij, sepse:
Së pari, Edi Rama nuk duhet ta fusë këtë premtim si një kërkesë të partive të koalicionit, se po të ishte për premtimet e LSI dhe PDIU, ne na mjaftonin gënjeshtrat e PD dhe paraardhësit të tij;
Së dyti, Edi Rama ka heshtur ndaj zërit të shoqërisë civile që ka kërkuar, së paku tri vitet e fundit një investim që të garantojë standardet e ndërtimt të rrugëve. Qeveria jo vetëm ka heshtur, por edhe ka investuar në disa segmente të filluara më parë në shkelje të këtyre standardeve. Edi Rama mund ta mbajë fjalën që të ndërtojë një rrugë që do të lidhë Zall Bastarin me Klosin e Bulqizën, por me këtë standard ndërtimi të reklamuar deri më tani, ajo nuk ka për të qenë Rruga e Arbrit – siç e ka edhe emrin;
Së treti, Rama kryeministër ka qenë jotransparent rreth kësaj çështje. Në negociatat me kompaninë kineze, në vend që të angazhonte një deputet dibran, edhe i PD të ishte, ai ia besoi negociatat Koço Kokëdhimës, deri dje njëri nga deputetët më të besuar të tij;
Së katërti, Edi Rama hoqi nga detyra e Ministrit të Financave deputetin e Dibrës pikërisht në kohën që pritej firma për Rrugën e Arbrit. Dhe heqja e tij ishte sinjal shumë i keq për Dibrën. Ishte Cani që kryesonte listën e PS në këtë qark, që bëri që e majta të fitonte pak më shumë vota në zgjedhjet e kaluara, sigurisht më pak se PD, por që i dhanë të majtës një deputet më shumë. Ishte emri i Canit që njerëzit besuan Edi Ramën për premtimet e Rrugës së Arbrit.
Së pesti, Edi Rama nuk duhet të fliste për Rrugën e Arbrit, pasi deputetët e tij prej tri vitesh i kanë etiketuar anëtarët e shoqërisë civile që lobojnë për këtë çështje si “ushtarë të SHQUP-it”, vetëm e vetëm se ata janë përpjekur ta nxisin qeverinë të ecë përpara në këtë proces dhe i kanë kujtuar vazhdimisht premtimet e pambajtura.
Së gjashti, Edi Rama nuk duhet të fliste për Rrugën e Arbrit në Dibër, pasi ai tri gjëra pati premtuar tre vite më parë për dibranët: Rrugën e Arbrit, Rrugën e Arbrit dhe Rrugën e Arbrit. Së paku, të martën duhet të kishte folur që njërën e ka realizuar ose sapo e ka filluar;
Së fundi, Edi Rama nuk duhet të flasë më për Rrugën e Arbrit sa kohë do të jetë në postin e Kryeministrit. Fjala e fundit e tij duhet të jenë “minat” në tunelin e Qafës së Murrizit. Në qoftë se nuk e bën këtë sa më shpejt, nuk ka asnjë arsye pse të mbahet mend në Dibër.
Ndërsa sa për Rrugën, shumë shpejt vjen fushata tjetër dhe historia e ndërtimit të saj do të fillojë nga e para... Siç ka ndodhur periodikisht çdo katër vjet, që nga viti 1996!/dritare.net
* Autori është redaktor përgjegjës në gazetën rajonale “Rruga e Arbërit”

















