Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Finalja më e pazakontë në histori: FIFA sjell spektakël me yjet e muzikës botërore

Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, finalja e Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës do të shoqërohet me një spektakël muzikor gjatë pushimit të ndeshjes, duke sjellë një risi që ka ndezur debat në botën e futbollit.

Në skenën e ngritur në stadiumin “MetLife” në New Jersey do të performojnë emra të njohur të muzikës botërore si Madonna, Shakira, Justin Bieber, BTS dhe Burna Boy. FIFA e ka cilësuar shfaqjen si një “festë historike në ndërthurjen e sportit, muzikës dhe ndikimit global”.

Megjithatë, organizimi i spektaklit do ta zgjasë pushimin e finales në rreth 25 minuta, ndërkohë që rregulloret e Bordit Ndërkombëtar të Futbollit (IFAB) parashikojnë një maksimum prej 15 minutash. Pikërisht kjo ka ngjallur kritika nga shumë tifozë dhe ekspertë, të cilët shprehin shqetësime për ndikimin që mund të ketë te ritmi i lojës dhe gjendja fizike e futbollistëve.

Sipas organizatorëve, shfaqja synon ta bëjë finalen një ngjarje edhe më të madhe globale, duke ndjekur modelin e finales së Super Bowl në SHBA, ku koncerti i pushimit është një nga momentet më të ndjekura të vitit.

James Massing, përfaqësues i kompanisë “Live Nation”, e cila organizon spektaklin, tha se pritshmëritë e tifozëve për eventet sportive janë rritur dhe se sporti duhet të ofrojë më shumë sesa vetë ndeshja.

Nga ana tjetër, krijuesi britanik i përmbajtjeve sportive Ellis Platten e kundërshton këtë risi, duke argumentuar se futbolli nuk ka nevojë për elementë të tillë argëtues.

“Finalja e Kupës së Botës është tashmë eventi më i ndjekur sportiv në botë. Nuk ka nevojë për shtesa të tilla. Në fund të fundit, Messi në një finale Botërori është më i rëndësishëm se çdo artist në skenë,” u shpreh ai.

Edhe gazetarja sportive Betty Glover beson se Botërori i këtij viti ka marrë një frymë shumë amerikane, me më shumë reklama dhe spektakël, duke lënë në plan të dytë analizën sportive.

Megjithatë, FIFA thekson se organizimi i koncertit nuk do të cenojë integritetin e lojës dhe se mirëqenia e futbollistëve mbetet prioritet. Spektakli është kuruar nga Chris Martin, vokalisti i grupit Coldplay, ndërsa sipas FIFA-s artistët nuk do të paguhen dhe aktiviteti do të shërbejë për mbledhjen e fondeve për projekte arsimore.

Risia mund të shërbejë si një provë për të ardhmen e futbollit ndërkombëtar, ndërsa mbetet për t'u parë nëse koncertet gjatë pushimit do të bëhen pjesë edhe e kompeticioneve të tjera madhore në Evropë.