Na ndiqni edhe në

Editorial

Erdogan, kthim i demokracisë apo i problemeve?

Erdogan, kthim i demokracisë apo i problemeve?
Nga Dritan Hila

Në më pak se 24 orë nga fillimi i grushtit të shtetit, Erdogan është më shumë se kurrë në kalë, dhe ka filluar të lëshojë fermanët për prerje kokash e karierash. Ajo që ndodhi, për vetë dinamikën e ngjarjes, ka shumë anë të errëta dhe pikëpyetje të cilat mund t’i japin përgjigje vetëm shërbimet sekrete, që do të thotë kurrë nuk do të merret vesh e vërteta. Gjithë ngjarja, ishte diçka midis grushtit të shtetit të inskenuar nga vetë Erdogan dhe atij ku kokat e nxehta të ushtrisë kanë vepruar pa e ditur se ishin nën vëzhgim dhe do të lejoheshin të vepronin aq sa e kishin lejen. E gjitha më shumë se grusht shteti, ngjan me një tentativë të llojit “Valkyria” të kolonelit Shtaufenberg.

Ndërkohë, ndryshe nga sa mendohet, fitorja e Erdogan nuk është kthimi i demokracisë apo fitorja e saj. Në fjalën e tij, pasi zbriti në aeroportin e Stambollit, nuk e përmendi asnjëherë thyerjen e ushtarakëve si fitore të demokracisë, por të “vëllezërve”, që bënte asonancë me atë të “Vëllazërisë Myslimane”. Gjesti i përshëndetjes së tij, ishte i kopjuar po nga ata. Ndërkohë ata që mobilizuan turmat në sheshe ishin rrjeti i muezinëve të asociuar me partinë e Erdogan. Dhe duke marë parasysh se Erdogan nuk ka shfaqur asnjë lëkundje në objektivin e tij për islamizimin e shoqërisë, ose për të qënë më të saktë në shuarjen e sekularitetit të shtetit, atëhere e gjithë drama e 24 orëve të fundit nuk ka ngjashmëri aspak me grushtin e shtetit ndaj demokracisë si ai i vitit 1981 në Spanjë, apo tentativa për grusht shteti i njohur me termin “Golpe Borghese” në Italinë e vitit 1970, ku thyerja e ushtarakëve golpistë ishte kthim i demokracisë. Por skenari i tipit lindor ku përzgjedhja nuk është mes së mirës dhe të keqes por mes të keqes dhe më të keqes.

Që në pushtet u rikthye një njeri me prirje të thekura autoritariste e vërteton kasaphana që është bërë në këto 24 orë në pushtetin gjyqësor apo në trupat e armatosura, që ngjan me purgat staliniane të viteve 1930. Shteti turk ngjan se është në gjunjë. Më shumë ngjan me kthimin e Frankos në Madrid pasi theu republikanët, ku kthim i legalitetit ishte shfarosja e gjithë administratës shtetërore dhe zëvendësimi i saj me kaptera besnikë të tij.

A është thyerja e këtij grusht shteti një ushtrim i demokracisë, a është një pengesë në rrugën e saj? Fatkeqësisht jo. Pas kaq vitesh shpresë se AKP do të ishte një parti fetare e tipit demokristian të Evropës së viteve 1940-1990, po shuhen me shpejtësi. AKP po tenton të implonojë ideologjinë e saj fetare në shtet dhe jo të jetë komplement i shtetit. Ky grusht shteti më shumë si pengesë e demokracisë, ngjan me regëtimën e fundit të rezistencës së laicitetit ndaj projektit të Erdogan. Qofshim të gabuar në këtë analizë.

Rikthimi i Erdogan, për sa i takon Shqipërisë, nuk do të thotë ai i një miku. Shqipëria që prej themelimit ka marrëdhënie konstante të mira me Turqinë si një vend aleat, pavarësisht sundimtarit të Ankarasë. Ndërsa Erdogan, do të thotë kthimi i politikave agresive të neo otomanizmit dhe përhapjes së islamit politik. Sesa ndikim ka krijuar në këto vite kjo politikë e Erdogan u pa nga reagimi i neo otomanëve shqiptarë në rrjetet sociale gjatë këtyre 24 orëve. Rikthimi i Erdogan dhe i islamit të tij politik agresiv, do të thotë një rrezik më shumë për integritetin social të vendit tonë, i cili edhe kështu ka infiltrime të forta vahabiste, greko-ortodokse apo nga shërbimet sekrete serbe. Por do të thotë edhe një problem i madh për demokracinë shqiptare. Pashallarët shqiptarë, kanë treguar se kanë të njëjtat vese me ato të atij që sundon në Stamboll, që nga kohët që nuk mbahen mend. Dhe një sulltan problematik në Ankara do të thotë më pak vëmëndje e BE dhe SHBA ndaj standarteve demokratike të Tiranës, pra më shumë korrupsion, mungesë lirie dhe standarte demokracie për shqiptarët. Por le të shpresojmë që do të ndodhë ajo që disa gazetarë perëndimorë mendojnë se grushti i shtetit do të jetë një mësim i Erdoganit për të qenë më tolerant dhe kooperues. Megjithëse tradita otomane ka treguar se opozitarëve nuk ju ofrohet dora e bashkëpunimit por “Kamarja e Turpit”, ku ju vendoset koka e prerë./dritare.net