Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ekskluzive/ Valbona Sako: Kjo është alternativa ime për Durrësin! Akuzat e Bashës, dezinformim!

Ekskluzive/ Valbona Sako: Kjo është alternativa ime për
Nga Isa Myzyraj

Valbona Sako është kandidatja e Partisë Socialiste për kryetare të Bashkisë së Durrësit në zgjedhjet e 30 qershorit, e cila zëvendëson Vangjush Dakon, pasi në korrik përfundon mandatin e tij të 3-të. Pas plot 12 vjetësh Durrësi do të ketë një kryetar të ri dhe ajo do të jetë femër pasi përballë Sakos kandidon edhe Valbona Sokollarin e Bindjes Demokratike.

Kandidatura e Sakos që ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Tatimeve në Durrës, ka ardhur në mënyrë të papritur, pasi më herët kishin dalë emra të tjerë që u përfolën të jenë kandidatët e PS-së.

Në intervistën e parë dhënë për gazetarin e Dritare.net Isa Myzyraj, si kandidate për kryetare të Durrësit Sako flet për planet e saj për Bashkinë, e sytë më të rëndësishme në vend, por edhe për akuzat e kreut të PD-së, Lulzim Basha ndaj saj.

-Zonja Sako, ju jeni kandidatja për bashkinë Durrës, një ndër bashkitë më të rëndësishme në vendin tonë.  Ju gjithashtu jeni në garë për ta zëvendësuar zotin.Dako pas 12 vjetësh në krye të Durrësit, si e pritët propozimin për kandidim nën siglën e Partisë Socialiste për një bashki që ka shumë përgjegjësi?

Gara ime, do të përfaqësojë një alternativë, për të shtyrë më tej projektet e rëndësishme që tashmë janë në zbatim si dhe ideimin  e zbatimin projekteve të reja, që do të adresojnë problematikat dhe nevojat që ka qarku i Durrësit. Bashkia e Durrësit, është një përgjegjësi e madhe dhe propozimin për të kandiduar nën siglën e Partisë Socialiste e prita natyrisht si  vlerësim, por mbi të gjitha si përgjegjësi për të punuar fort, për të fituar zgjedhjet dhe për të bërë më të mirën për Durrësin tonë.

-Cili është projekti juaj për Durrësin, me pak fjalë cilat janë pikat kryesore ku do ta mbështesni jo vetëm fushatën elektorale por edhe punën tuaj në 4-vjeçarin e ardhshëm?

-Rritja e transparencës dhe aksesueshmërisë në shërbimet që do të ofrojë Bashkia e Durrësit

-Fuqizimi i rinisë dhe grave

-Krijimi i sa më shumë hapësirave të gjelbra

-Vëmendje e shtuar nga zonave periferike dhe rurale

-Investim dhe bashkëpunim nga ana e Bashkisë së Durrësit, për projekte të rëndësishme turistike, artistike dhe kulturore.

-A ka një sektor ku ju do të ndërhyni urgjentisht, thënë ndryshe një sektor që për shumë arsye zoti.Dako nuk ka bërë aq sa duhet?

Si në çdo fushë tjetër dhe në atë të qeverisjes lokale, ka gjithmonë gjëra që kanë nevojë për investim dhe vëmendje të mëtejshme! Do prioritizojmë sipas problematikave, që po shqyrtojmë në terren dhe dëgjesave publike, pasi programi im do të bazohet në çfarë do jetë e kryesisht e prekshme personalisht nga ana ime, duke u munduar të takoj sa më shumë banorë e familje të Durrësit.

-Kreu i PD, Lulzim Basha ju ka akuzuar menjëherë pasi emri juaj ka dalë si kandidate  e Durrësit. “Valbona Sako e dyshuar dhe duhet të ishte e pandehur për vjedhjen e votave”-ka thënë Zoti Basha. Cili është komenti juaj për këto akuza?

Nuk do të doja të komentoja situata që nuk zgjidhin asnjë problematikë reale, por që krijojnë dezinformim publik. Përqendrimi im, ngelet vetëm të alternativa qeverisëse që do të  ofrojë për banorët e Qarkut  Durrës.

-Për hir të së vërtetës fushata elektorale, por edhe zgjedhjet e 30 qershorit pritet të mbahen nën një klimë të rëndë politike në vendin tonë. Çfarë mendoni ju për situatën politike në të cilën ndodhet vendi ynë? A ka një palë që duhet të bëjë hapa pas?

Procesi elektoral është miratuar konform rregullave dhe ligjit. Sigurisht që tashmë vijueshmëria nuk përcaktohet më nga hapat pas, por nga hapat para.

-Si grua por edhe si nënë, si kandidate për Durrësin, cili është apeli juaj për të gjithë durrësakët, në këtë fushatë elektorale në dukje pa garë, por në thelb e tensionuar që mund të sjellë të papritura nga dita në ditë, kujtojmë se me 30 qershor opozita ka thënë me çdo mjet do të pamundësojmë zgjedhjet?

I ftoj të gjithë banorët, gratë dhe nënat e Durrësit, të tregojnë sërish vlerat demokratike e qytetare që kanë shfaqur gjithmonë si dhe të marrin pjesë masivisht në votime, pasi ky është thelbi i vërtetë i demokracisë./dritare.net