Na ndiqni edhe në

Arkiv

EKSKLUZIVE- Shën Valentin me Muntaz e Lumturi Dhramin/ Shtëpia e dashurisë

EKSKLUZIVE- Shën Valentin me Muntaz e Lumturi Dhramin/ Shtëpia e
Jemi në Tiranë, në zonën e ish Bllokut. Pranë shkollës 11 Janari, te pallatet e Aviacionit, siç emërtohen ende, këto godina, jeton një nga familjet më të bukura që mund të njohësh ndonjëherë.

Kush i njeh, e di që në katin e parë të pallatit, në një shtëpi të mbushur plot me kujtime, bashkëjetojnë, në mënyrë të shkëlqyer, arti dhe lumturia.

Për ata që nuk e dinë, Lumturi quhet e zonja e kësaj shtëpie, që ngjan si galeri arti. Shkurt, i thërrasin Lume. Është një nga artistet që i takon brezit të liceistëve të vitit 1952, njëkohësisht prej rreth gjashtë dekadash edhe bashkëshortja e artistit të njohur Muntaz Dhrami.

Më 2 shkurt të këtij viti, 2016 Lumja ka festuar ditëlindjen e 80-të, të saj. Me rastin e këtij përvjetori, bashkëshorti, Muntaz dhe vajza e cila ka ardhur enkas nga Parisi, kanë qenë kuratorë të ekspozitës surprizë.

Lumja është një grua elegante, me tipare të holla, me një zë të ëmbël. Flet qetë, është e buzëqeshur dhe teksa na hap derën e shtëpisë, thotë se nuk i pëlqen të japë intervista, por pranon të flasë vetëm për dritare.net. “Nuk më pëlqen të flas për veten, as dikur, as tani që jam 80”.

Më kujtohet menjëherë Kapucinski, kur thotë: “Duhet të druhesh nga gratë që e tregojnë moshën... Janë shumë të zonja”.

Ekspozita e një jete

«Ma bënë surprizë, unë nuk dija asnjë gjë. Ishin disa punime të miat që kishin mbetur në studio, punimi i diplomës, vepra të tjera që kishin mbetur të pazbuluara dhe në vitin 1961 atëherë kur u prishën edhe marrëdhëniet me Poloninë. Bashkëshorti i kishte hapur punët dhe pikturat», tregon Lumja, gjithë modesti. Ajo ka qenë shpesh herë pjesë e ekspozitave të ndryshme me veprat e saj, por një ekspozitë e tillë e personalizuar, me dy kuratorë arti që në përvjetorin e 80-të sjellin, vendosën t’i bëjnë dhuratë këtë përmbledhje në retrospektivë, është ekspozita e parë e vërtetë për Lumturinë.

Ekspozita kuruar nga Ylli Drishti, është një prezantim i plotë i krijimtarisë së Lumturi Dhramit në grafikë në një periudhë 30 vjeçare (1956-1986). Në historinë e arteve pamore ajo renditet e para artiste femër e diplomuar për grafikë e cila dha një kontribut mjaft të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj gjinie. Pavarësisht ndikimeve politike Dhrami përdori vazhdimisht elementet moderne të grafikës dhe veprat e saj mbeten vlera të pamohueshme në artin pamor shqiptar.

«Kjo është ekspozita e saj e parë dhe e fundit»,- tha pak ditë më parë në çelje të ekspozitës Muntaz Dhrami, bashkëshorti i artistes dhe vetë një skulptor i çmuar shqiptar, që megjithë krenarinë, i dallohej zëri i prekur, kur fliste për gruan e jetës së tij.

Vërtetë e para edhe e fundit! Siç thotë edhe Lumja: «Gruaja dhe nëna nga natyra janë të tilla që sakrifikojnë. Edhe ajo si artiste shumë e mirë ka sakrifikuar për të bërë punën çdo ditë, për të rritur fëmijët, për t’u kujdesur për shtëpinë. Shpesh herë më kujtohet një fragment, që gdhendja dhe punoja në studio, në shtëpi, sapo fëmija qante apo kërkonte diçka, unë lija gjithçka dhe vrapoja aty».

Ndaj asaj ju desh të ndalonte, të linte një dashuri, për një tjetër dashuri, pa bërë zë, siç gratë e mençura dinë ta bëjnë.

Lumja është artistja e parë grafiste në Shqipëri dhe ekspozitën e saj të parë e solli për 80 vjetorin e saj, por ekspozita e një jete me Muntaz Dhramin është frymëzim dhe mësim për të rinjtë, për të gjithë ata që tani po e nisin, apo bashkëshortët e pjekur dhe ata që po e mbyllin bashkë.

[cycloneslider id="lumturi-dhrami"]

Valixhja me letra dashurie

Nuk e dinë të gjithë, por artisti Muntaz Dhrami është me të vërtetë artist edhe në familje.

«Jo vetëm për ditëlindje, por sa kohë ka që festohet Shën Valentini, Muntazi më sjell lule. Kështu ka bërë edhe kur ishim të rinj, edhe më vonë edhe sot. Më sjell lule, më dhuron vizatime edhe unë i ruaj të gjitha. Muntazi duhet të them është krejtësisht i veçantë dhe këtë nuk e them vetëm unë, e thonë të gjithë. Shoqet edhe mikeshat e mia e vënë në dukje se si kujdeset ai, kur e krahasojnë me bashkëshortët e tyre. Mendoj se sinqeriteti është çelësi që hap gjithçka, po pati sinqeritet çdo gjë hapet, ne kemi pasur dashuri të vërtetë, pa sekrete».-  tregon Lumturia.

Ajo dhe Muntazi janë njohur në vitin 1952 në liceun artistik.

«Unë kisha bërë tre vjet pedagogjike ndërsa Muntazi dy vjet gjimnaz në Gjirokastër dhe u takuam në të njëjtën klasë. Kemi qenë një klasë shumë e mirë, të gjithë takohemi edhe kësaj dite me mall dhe dashuri. Bënim jetë kolektive, ishim në konvikt, por dilnim bashkë, shkonin shihnim shfaqje, shkonim në kinema. Pas përfundimit të liceut unë u largova me bursë studimi në Varshavë, ndërsa Muntazi më pas në Leningrad. Nuk ishim të fejuar, familja nuk e dinte, por ne të dy i kishim dhënë fjalën njëri-tjetrit. Vetëm kaq...» -kujton ajo, një jetë më pas.

Siç rrëfen Lumja, asokohe nuk lejohej largimi pas vitit të parë të studimeve, por ajo mori guximin të shkonte te ambasadori dhe të kërkonte miratimin e tij për të shkuar në Leningrad te Muntazi. Por sigurisht që Lumja nuk do ta shtronte kështu çështjen.

«Dëshiroj të shkoj në Leningrad, është fat nëse do të shikoja Hermitazhin, është muzeu më i bukur në botë», i tha Lumja, ambasadorit Kroi dhe ia doli ta bindë, për t’u larguar më pas në Leningrad.

Korrespondenca e letrave mes Lumturisë dhe Muntazit ka qenë e madhe, letrat mbushnin valixhe të tëra. «Çdo javë i shkruanim njëri- tjetrit, shkruanim gjatë sa na dukej sikur shkruheshim çdo ditë. Çdo të shtunë unë merrja letrën e Muntazit, ai letrën time. I ruanim me shumë dashuri korrespondencat. Por një ditë kemi harruar çezmën hapur dhe kështu që ato u lagën. Më shumë se për gjithçka tjetër që u prish nga uji, jam keqardhur për letrat tona».

Në vitin 1963 lindi nga martesa e Lumturisë dhe Muntazit fëmijë i parë, Roland Dhrami. Në vitin 1967 lindi vajza, Mirela Dhrami. Gjatë kësaj kohe Muntazi nuk harroi asnjë vit të bënte dhurata vizatime, të sillte tufa me lule, të ishte burri që ajo do i uronte çdo vajze.

Në këtë Shën Valentin, e dashur Lumturi, na ke bërë të lumtur të gjithëve me dy retrospektivat e tua; me përmbledhjen e punëve të jetës dhe me historinë e jetës tënde, ku në epilog dhe prolog mbetet gjithmonë dashuria! Unë po dal nga shtëpia jote tani dhe e kam me vete, në lëkurë dhe rroba, aromën e shtëpisë tënde. Është aroma e dashurisë. Faleminderit!/dritare.net/