Eklipsi diellor shihet sot edhe në Shqipëri! Ja ora kur arrin kulmin
Dritare.net

Një eklips diellor do të jetë i dukshëm mbrëmjen e sotme edhe nga Shqipëria, megjithëse vetëm pjesërisht dhe për pak minuta.
Në Tiranë, fenomeni pritet të nisë rreth orës 19:31, ndërsa kulmin do ta arrijë në orën 19:41. Eklipsi do të përfundojë rreth orës 19:44, pranë perëndimit të Diellit. Në momentin maksimal, Hëna pritet të mbulojë rreth 8–10% të diskut diellor.
Për ta dalluar më mirë, qytetarët duhet të kenë një pamje të hapur drejt horizontit perëndimor. Ekspertët paralajmërojnë se Dielli nuk duhet parë drejtpërdrejt pa syze të posaçme për eklips, pasi syzet e zakonshme të diellit nuk ofrojnë mbrojtjen e nevojshme dhe mund të shkaktohen dëmtime serioze të shikimit.
Ndryshe nga Shqipëria, ku fenomeni do të jetë i pjesshëm, eklipsi do të shihet i plotë në një brez që përfshin Groenlandën, Islandën dhe veriun e Spanjës. Hija e Hënës do të udhëtojë nga Arktiku drejt Atlantikut, përpara se të përfundojë mbi Detin Mesdhe gjatë perëndimit të Diellit.
Miliona njerëz janë mbledhur në Islandë dhe Spanjë për të ndjekur atë që është cilësuar si “ngjarja e shekullit”. Vetëm në Spanjë priten deri në gjashtë milionë vizitorë, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për shkak të fluksit të turistëve, temperaturave të larta dhe rrezikut nga zjarret.
Ky është eklipsi i parë i plotë diellor i dukshëm nga Europa kontinentale që prej vitit 1999. Gjatë fazës së plotë, Hëna do ta mbulojë tërësisht Diellin për rreth dy minuta, duke e kthyer përkohësisht ditën në muzg.
Eklipsi ndodh kur Hëna kalon mes Tokës dhe Diellit, duke e mbuluar atë plotësisht ose pjesërisht, në varësi të vendndodhjes së vëzhguesit.