Ej, po bukur shumë kjo Kalaja e Tironcave!

Nga Fjorda Llukmani

Këtë fundvit, Bashkia e Tiranës na bëri dhuratë një qoshe të re. “Kalaja e Tiranës” ose ndryshe muzeu i familjes Toptani, u hap te pedonalja para pak javësh. Pashë shumë foto rreth e përqark në rrjete, e zgjodha të pi kafen e mëngjesit një ditë.

Takohem me dy shoqet e mia në hyrje. Aty shkruhej një historik i shkurtër për kalanë. Mendohet të jetë ndërtuar në periudhën bizantine në shekullin e 5-të.

Pas disa bombardimeve dhe shembjesh, sot ruhet vetëm një pjesë e murit verior. Më pas tregohet se kujt i përket shtëpia me letra, Sadet apo Zija Toptanit. Le të themi një farë marketingu për një prej familjeve më të famshme të Tironës.

Prisja që ky shkrim hyrës të ishte dhe anglisht, pasi më zuri syri goxha turistë të huaj.

Kur u futa brenda më ngjau si piacat e pedonales jashtë shtetit. Goxha moderne, me rrugica në formë zig-zage. Disa nga dyqanet janë akoma të pahapura. Ama kafet janë gjithmonë full me njerëz, sidomos në qoshkat ku bie dielli.

Kjo pronë më parë përdorej si zyra shtetërore. Më kujtohet kur hipa mbi një nga ndërtesat e larta aty pranë, që e pashë lagjen nga sipër. “Ua po kjo zonë ku ka qenë më parë?”,-pyesja veten. As që e dija që ekzistonte. Atëherë më zunë sytë dhe një shtëpi të vjetër dy katëshe tironcish, shumë afër Hotel Kalasë.

Tirona paska pas plot cepa që s’i dinim. Ecëm drejt tek kalaja e në të djathtën tonë pamë një zonë të hapur me objekte.

Aty kishte sënduk, dybek, qilima dhe sofra të kohës së atëhershme. Këtu është pjesa e preferuar për të shkrepur foto.

Muret rrethohen nga tjegulla ose siç thotë nona ime ‘tjeglla’.

Ideja e Kalasë është që të promovojë ushqime dhe çdo gjë tjetër tradicionale të Tironës.

Diku në fund të pedonales do të shikoni një grua që ka bërë punëdore si: triko, fustane apo doreza leshi. Shkoj të blej një dhuratë për mikun tim të huaj e hymë pak në muhabet. Sa qejf i kam njerëzit e komunikueshëm. Më tregoi që punonte prej vitesh në rrugë, por e kishin ftuar të shiste te Kalaja e Tiranës, meqë ka më shumë lëvizje. Nëse doni të blini diçka prej saj, mund ta bëni edhe me porosi.

LEXO DHE :  Nga Shqipëria në Serbi, kush janë dhe ç’bëjnë disa nga “Zonjat e Para” të Ballkanit

Stola për t’u ulur ka kudo, kështu që nuk je i detyruar të ulesh në kafe për të qëndruar. Besoj më të lumturit e ditës ishin fëmijët.

Një grup i lezetshëm ishte mbledhur duke luajtur me formuese të mëdha të tipit lego. Në kohën time s’kishte shans të kishe kaq shumë forma argëtimi. “7 Xhuxhat” ishin i vetmi vend ku faleshim.

Pedonalja e kalasë ka dalje edhe nga krahu tjetër midis PD-së dhe kishës. Çfarë më bëri shuuumë përshtypje janë tualetet. Le të pastra xixë, por edhe shumë simpatike. Lavamani komplet më gurë dhe dërrasa të trasha.

Në kthim shoh rastësisht një fytyrë të njohur. Klodi Toptanin e pashë në fotot e lalit dhe Kumbaros kur u bë inaugurimi i kalasë.

Ndaloj ta përshëndes, megjithëse nuk e njoh personalisht. Ajo është pasardhësja e familjes Toptani dhe njëkohësisht përgjegjësja e kalasë. Pasi prezantohem i them dy kritika që kisha. M’i pranoi me përzemërsi. “Klodi shumë bukur Kalaja e Tironcave, po pse nuk keni vënë një tekst në anglisht?”- e pyes unë.

Ke shumë të drejtë, por punimet janë bërë në kohë rekord dhe avash-avash do të rregullohen të gjitha. Do të mbushet dhe plot me restorante që prodhojnë produkte bio. Tek ‘tjegllat’ do të jetë vend i hapur për ekspozita, evente apo çdokush që ka një ide është i mirëpritur.”,-më thotë ajo.

Mesa kuptova kanë nxituar që kalaja të hapej për festa, e të quhej si dhuratë e fundvitit. Prandaj nëse mendoni se disa gjëra nuk shkojnë siç duhet, prisni edhe pak.

Një shëtitje te Pazari i Ri dhe te Sheshi më bëri të mendoj se, shumica e njerëzve gjendeshin te Kalaja. Mirë fare që tani kemi disa spote të reja, por mos i harroni dhe të vjetrat./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.