Na ndiqni edhe në

Editorial

Vajza e vogël që vrau veten, për fajin tonë!

Vajza e vogël që vrau veten, për fajin tonë!

Në tregimin e ditës gazetarja Rudina Xhunga foli për rastin e vetëvrasjes së 16-vjeçares në Gjirokastër sepse e bullizonin në shkollë. Ja çfarë tha gazetarja:

“Vetëvrasja e një 16-vjeçareje ka kaluar pa vëmendjen që meriton. Ne jemi në fushatë zgjedhjesh dhe si ndjekës fanatikë të aktualitetit politik, harrojmë jetët e fëmijëve të vegjël. Shqipëria i ngjan një kantieri të madh ndërtimi, një shtëpie në rregullim e sipër. Prindërit i kushtohen ndërtimit të shtëpisë dhe nuk merren sa do donin me fëmijën. Por fëmijët kanë nevojë për fjalën tonë, vëmendjen tonë, më shumë edhe sesa për paratë tona. Një vajzë e vogël, në një gjimnaz të Gjirokastrës vrau veten. Pas vetëvrasjes së saj u gjet një letër, një pjesë ditari, një pjesë shpirti e fëmijës, e shkruar në anglisht, edhe e lënë në kapakun e celularit. Kishte lënë nevojën për komunikim, faktin që nuk po e dëgjonte askush.

Fëmijët tanë nuk e dinë se çfarë është jeta dhe ne nuk jemi aty që t’ua tregojmë, sepse ne nuk e dimë as vetë. Ndërkohë që jemi të zënë në hallin e radhës, në problemin e radhës, harrojmë t’i themi fëmijës që jeta është e bukur, që jeta do të sjellë të papritura që vetëm ti do t’i jetosh e shijosh, që ti je i/e bukur. Vetëvrasja e fëmijës nuk qe vetëm çështje varfërie. Irsa nuk u bullizua se ishte e varfër. Bullizmi është një prej problemeve më të mëdha të shoqërisë edhe për shkak se është ngritur në një stad tjetër. Mësuesit nuk ndërhyjnë, psikologët nuk ndërhyjnë. Vajza foli me psikologun dhe në letër shkruante për të. Çfarë ndodhi me psikologun në shkollë? Pse nuk iu përgjigj vajzës? Psikologu nuk është fasadë. Kjo histori duhet të zbërthehet. Diçka ndodhi në atë klasë. Kush janë ata fëmijë që janë edukuar të tallin? Kush është mësuesja që lejoi që kjo të ndodhë? A bëhen hetime në shkollë kur ndodh një vrasje e tillë sepse janë pjesëtarë në vrasje të gjithë? Kjo është vrasje, nuk është vetëvrasje. Një fëmijë, një adoleshente nuk e kupton çfarë është vetëvrasja sepse nuk e di çfarë është jeta.


Pas reagimit tim në Instagram, shumë nëna, gra dhe baballarë më shkruan nga rrethet, nga Tirana, nga jashtë dhe më treguan si funksionon në vendet ku ata jetojnë.

Ne flasim sa herë ndodhin humbje tragjike. Por kjo duhet të ndodhë gjithmonë. Ne duhet të bëhemi bashkë, në një përpjekje të madhe për të mbrojtur fëmijët tanë, fëmijët e njëri-tjetrit. Kjo ngrehinë që po ndërtohet, për fëmijët po bëhet. Por është e kotë nëse ne nuk komunikojmë me fëmijët.

Unë besoj që duhet të kthehet uniforma në shkolla publike dhe private. Uniforma e mbron fëmijën, që të mos bullizohet për veshjen, se nuk ka veshur firmato. Është turp të flasësh për firma. Duhet folur për një brand të ri, brand-in e mendjes së fëmijës. Në shkolla duhet të flitet më shpesh për gjimnastikën e trurit, për jetën, për marrëdhëniet, për komunikimin mes fëmijëve, me mësuesin, me psikologun. Duhet të pyetur psikologu çfarë dëgjojnë nga fëmijët. A kanë pasur fëmijët mendime vetëvrasëse? Ne nuk duhet të flasim vetëm për dhimbjen fizike, por edhe për dhimbjen e shpirtit, të mendjes. Të mësohemi të japim ndihmën e parë, të mësohemi të tregojmë kur dikush vuan para se të ndodhë e keqja. Të marrim njohuri për ndihmën e parë fizike, për ndihmën e parë për mendjen. Duhet të flasim per edukimin emocional të vajzave dhe djemeve, të flasim për jetën. Sa më shumë. Qe vdekja të mos u duket kurrë zgjidhje. Duhet të flasim. Jo pas zgjedhjeve. Tani.”, tha gazetarja Rudina Xhunga./ dritare.net