Sot në Tiranë samiti 'Plani i Rritjes, rruga jonë në BE’, Rama: Një tjetër ditë mikpritjeje!
Dritare.net

Tirana pret sot samitin “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE", ku liderët e Ballkanit Perëndimor do të ndajnë diskutime për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian. Samiti do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave dhe pritet të nisë në orën 09:30.
E pranishme do të jetë edhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, përfaqësues të lartë nga KE dhe nga organizatat rajonale. Komisionerja Kos ka mbërritur në Tiranë që prej ditës së djeshme, ku pasdite zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama dhe më pas një darkë.
Në orën 09:30, është parashikuar pritja e liderëve ndërsa në orën 10:00 nis punimet samiti. Fjalën hapëse në samit do ta mbajë kryeministri Rama me Kos, ndërsa më pas në orën 11:30, është parashikuar një foto familjare. Në orën 11:35, do të dy do të mbajnë një konferencë për mediat.
Samiti do të zhvillojë punimet i konceptuar në dy panele diskutimesh: “Formimi i nismave të reja, me përfitime për qytetarët dhe biznesin” dhe “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta Rezultatet dhe përshpejtimi”, ku do të lançohet Udhërrëfyesi për Ballkanin Perëndimor e do të flitet mbi pozicionimin e rajonit në ekosistemin AI të BE, korsitë e gjelbra, bashkëpunimin në fushën e turizmit, mbi progresin dhe hapat e ardhshëm drejt tregut të përbashkët rajonal etj.
Ky samit vjen pak ditë pasi Shqipëria hapi grupkapitullin e fundit të negociatave me BE, ndërsa në Bruksel u festua me tortë. Qeveria ka shprehur ambicien për anëtarësim brenda vitit 2030, ndërkohë që për Unionin, ky objektiv është i realizueshëm, duke marrë parasysh ecurinë e shpejtë të vendit.
Një tjetër ditë mikpritjeje e cilëson kryeministri Edi Rama samitin që do të mbahet sot në Tiranë, i cili do të mbledhë në një tryezë të përbashkët liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneren Marta Kos.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë mikpritjeje, si samiti i Groëth Plan “Our Pathway to the EU”, tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar kryeministri.