Përmbytje në jug të vendit, qindra hektarë nën ujë dhe dhjetëra banesa të rrezikuara
Dritare.net

Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë shkaktuar një situatë të rënduar në jug të Shqipërisë, ku dalja e lumenjve nga shtrati ka sjellë përmbytje të gjera në zona të banuara dhe bujqësore.
Në Çukë të Sarandës, argjinatura e lumit Bistricë është çarë, duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore dhe të paktën 5 banesa. Uji ka dalë nga shtrati dhe ka izoluar katër barinj në një stallë me bagëti. Gjendja mbetet problematike edhe në Konispol dhe Shalës, ku përmbytjet kanë vështirësuar qarkullimin dhe kanë rrezikuar banesat pranë zonave më të ekspozuara.
Në Vlorë, niveli i lumit Vjosa ka arritur në 8.25 metra dhe pritet të vijojë rritjen për shkak të prurjeve nga Tepelena dhe Memaliaj. Në zonat e Mifolit dhe Novoselës janë përmbytur tokat bujqësore, ndërsa 10 banesa në fshatin Fitore dhe 7 banesa të tjera në Novoselë janë përmbytur, duke detyruar evakuimin e banorëve.
Situatë kritike raportohet edhe në njësinë administrative Markat, ku gjashtë fshatra janë izoluar si pasojë e bllokimit të rrugëve nga prurjet e mëdha dhe rrëshqitjet e dheut.
Edhe në Fier situata paraqitet e rënduar. Në fshatrat Kashisht, Çerven dhe Ferras ka ujë brenda argjinaturave përgjatë Vjosës, ndërsa niveli i lumit Seman vijon të rritet. Në zonën e Kafarajt, puset e ujit të pijshëm kanë mbetur nën ujë, duke rritur rrezikun për furnizimin e banorëve me ujë të sigurt.
Autoritetet po monitorojnë situatën dhe iu bëjnë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të ndjekin udhëzimet e emergjencave civile./L.F-dritare.net