Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Duhet një Institut për Studimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

Duhet një Institut për Studimin e Luftës Antifashiste
Dr. Marenglen Kasmi

Debati i ditëve të fundit mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), tregon qartë se ka ardhur koha që trajtimi historiko-shkencor i kësaj periudhe të rëndësishme të historisë së shqiptarëve duhet të institucionalizohet, me ngritjen e një Instituti të Studimeve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Ngritja e një institucioni të tillë i shërben jo vetëm trajtimit me seriozitet të së kaluarës, mos harresës së gjakut dhe sakrificave të dëshmorëve që ranë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre por, i shërben edhe edukimit të brezit të ri, në një kohë kur Neofashizmi është një tendencë në rritje në vendet europiane perëndimore.

Historiografia dhe historia popullore

Si në të gjithë vendet e Europës Lindore të dala nga regjimi komunist edhe Shqipëria është përfshirë në procesin e rishikimit të historisë së saj. Deri në fillimvitet 1990, analiza e së kaluarës shikohej si një detyrë vetëm e historiografisë.

Ndërkohë që historiografia si shkencë është duke përjetuar një krizë të thellë, si pasojë e ndryshime politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore që erdhën fill pas ndryshimeve demokratike, trajtimit historik të së kaluarës i është shtuar edhe me një dimension i ri, historia publike, ose më saktë historia popullore.

Historia popullore është e rëndësishme për hulumtimin e kujtesës. Por ajo nuk mund të dalë jashtë kornizës së përgjithshme që përcakton historiografia. Po ashtu, ajo nuk mund të merret si referencë, në kuadër të ritrajtimit të çështjeve thelbësore historike, por i plotëson ato.

E thënë më shkoqur, kriza në të cilën është futur historiografia, e sidomos ajo e periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ), si pasojë edhe e politizimit të tejskajshëm të saj, inkurajon historinë popullore të merret me hartimin e një versioni të saj historik, duke synuar shpesh të rehabilitojë figura historike të pa rehabilitueshme kundër LANÇ-it, nëpërmjet përdorimit të argumenteve ta paqëndrueshëm shkencërisht dhe të  pasaktë historikisht.

Në këtë kuadër, shpesh e vërteta deformohet, çdo gjë e shkruar gjatë periudhës së komunizmit relativizohet, ose më saktë zerohet, dhe ngjizet një e “vërtetë e re”, e cila merr vulën e absolutes, ndonëse “këto të vërteta” janë më tepër produkt i opinioneve personale ose prejardhjes familjare, ku dominojnë kapërthime mendimesh brenda një dimensioni historik bosh, që shpesh bien ndesh me të vërtetën historike.

Si pasojë e shumëfishimit dhe modernizimit të mjeteve bartëse të historisë popullore, siç janë mediat, rrjetet sociale etj., por edhe nga fakti që, shoqëria është e gatshme të thithë më shpejt këtë lloj informacioni të shkruar në gjuhë të lehtë dhe që fokusohet mbi hulumtimin e kujtesës dhe fateve njerëzore, ndizen debate të panevojshme dhe të pabazuara shkencërisht për vërtetësinë e objektit që ato trajtojnë.

Në këtë kuadër, gjatë këtij debati më së shumti bëhet fjalë për interpretime të fakteve historike, sesa për faktin vetë. Shkurt, interpretimet e fakteve historike sipas interesave të caktuara, jashtë kontekstit të kohës, shpesh mbi copëza dokumentesh të arnuara e qepura keq me njëra-tjetrën dhe duke e mbështjellë gjithmonë e gjithçka nën vellon e trajtimit të krimeve të komunizmit në vitet 1945-1990, bëjnë që realiteti historik të tjetërsohet, duke e vendosur shoqërinë shqiptare para dilemës së përkufizimit të vlerës dhe antivlerës, të përçarjes së mëtejshme dhe të keqpërdorimit historik të së kaluarës, thuajse në një masë më të stërholluar dhe dinake se çka ndodhur shpesh deri në vitin 1990.

Në gjithë këtë katrahurë interpretimesh e versionesh historike të hapërdarë, arrihet shumë lehtë në krijimin e një tabloje të përgjithshme historike, nëse nisemi nga përkufizimi i vlerave – çka përfaqësonte Antifashizmi, së keqes – që ishte Nazifashizmi dhe së gabuarës – që ishin gjithë bashkëpunëtorët e tyre gjatë Luftës Antifashiste në Shqipëri  e kudo.

Që antifashizmi është vlerë pranohet nga shumica, madje edhe nga “historianë”, të cilët investohen qartazi kundër së vërtetës historike. Por, për ta ndryshon puna kur vjen fjala te antifashizmi shqiptar. Sipas logjikës së tyre, lufta e shqiptarëve ndaj së Keqes (lexo Nazifashizmi dhe bashkëpunëtorët e tyre) ishte e keqe.

Kësisoj, ata e përkufizojnë luftën ndaj të Gabuarve (lexo bashkëpunëtorët e Nazifashizmit) si një gabim dhe jo si një luftë ndaj së Keqes dhe së Gabuarës. Gjithmonë sipas kësaj logjike, kjo Lufta Antifashiste ishte e “keqe” dhe e “gabuar” sepse u shndërrua nga komunistët në një luftë civile, duke mos luftuar kundër pushtuesve, por vetëm kundër kundërshtarëve të brendshëm.

Pra, natyra e luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesit tentohet të njësohet, me natyrën e drejtuesit të kësaj lufte, Enver Hoxhës ose forcës politike që e drejtoi atë, Partisë Komuniste (Punës) në vitet 1944-1990.

Këto dy fenomene duhen ndarë nga njëra-tjetra. Nëse flasim me shifra, nga viti 1941 deri në vitin 1944, numri i komunistëve pjesëmarrës në LANÇ shkonte nga 2400 deri në 3600 anëtarë partie, pra rreth 4-6% të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Kështu që, kjo nuk mund të ishte një luftë vetëm e komunistëve, por një luftë e gjithë popullit shqiptar kundër pushtuesit, siç ishte edhe lufta e shumë popujve të tjerë.

Deri në vitin 1990 ka plot gjëra që janë interpretuar njëanësisht, sipas interesit të Partisë. Por, kjo nuk do të thotë që duhet bërë një përmbysje e gjithë historisë së shkruar në këtë periudhë. Madje mund të themi me bindje të plotë shkencore se, me hapjen e arkivave të huaj, aspekte të caktuar të kësaj lufte, siç është për shembull bashkëpunimi me pushtuesit, jo vetëm që nuk mund të vihet në dyshim, por përkundrazi është mëse i faktuar historikisht, gjë që e ngarkon me përgjegjësi politike krahun nacionalist për politikën e dështuar që ndoqën gjatë luftës.

Po ashtu, nuk mund të vihet në dyshim që në raste të caktuara, e kryesisht në fund të luftës, lufta u përdor nga Enver Hoxha edhe politikisht.

Nëse vlerësojmë zhvillimet politiko-ushtarake të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, arrijmë në përfundimin se lufta e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte në tërësinë e saj një luftë antifashiste, e drejtuar kundër pushtuesve të huaj, ndonëse kryesisht në fazën e fundit të saj shfaqen në raste të veçuara edhe elementë të një konflikti civil, apo lufte për pushtet.

Nisur nga përkufizimi i luftës civile, mund të thuhet se në një vend të pushtuar nuk mund të ketë luftë civile, e sidomos atëherë kur njëra palë pjesëmarrëse në konflikt, bashkëpunon dhe mbron interesat e pushtuesit. Pas pushtimit gjerman, antagonizmi në rritje ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste u bë një nga faktorët kyç për politikën gjermane në Shqipëri.

Të dyja këto rryma politike kërkonin me çdo kusht të vinin në pushtet pas lufte. Premtimet e gjermanëve, që pushtimi ishte një pasojë e pastër e nevojave ushtarake, lidhur me garancinë e një Shqipërie të pavarur, zgjonte te nacionalistët shqiptarë shpresën për realizimin e një politike të brendshme dhe të jashtme relativisht të pavarur.

Edhe besimi se gjermanët do të shkatërronin lëvizjen komuniste – çka ata për hir të së vërtetës thuajse e arritën në dimrin 1943-1944 sepse e vendosën ushtrinë partizane në një pozicion shumë të vështirë  ishte një arsye jo e paktë e nacionalistëve shqiptare për të pranuar këtë realitet. Jo më kot në këtë periudhë pason edhe bashkëpunimi në masë i Ballit Kombëtar me pushtuesit gjermanë.

Sipas bindjes së tyre, sido të vinte puna, ata do të kërkoheshin pas lufte sepse kishin merita në themelimin e shtetit shqiptar. Kështu kishte qenë gjithmonë prej vitit 1912. Por këtë radhë lufta i kishte ndryshuar gjërat.

Krijimi i Institutit për Studimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

Diskutimet e fundme për luftën, e sidomos në këtë 75-vjetor të çlirimit të vendit, nxorën edhe njëherë në pah nevojën për ngritjen e një instituti për Studimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ngritja e një institucioni të tillë shkencor i shërben kujtesës historike dhe jo nostalgjisë ndaj së kaluarës, – siç dëgjojmë hera-herës të flitet. LANÇ-i mundësoi që, shqiptarët, për herë të parë në historinë e tyre luftuan të bashkuar në këto përmasa ndaj pushtuesit dhe për më tepër në aleancë me fuqitë demokratike perëndimore. Si kurrë më parë shqiptarët arritën të krijojnë një ushtri prej mëse 70.000 luftëtarë e luftëtaresh, të rreshtuar në radhët e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Me përjashtim të ndonjë vendi, “me pena të çoroditura” siç është Shqipëria, nuk ka ndodhur që të vihet në dyshim natyra dhe karakteri i Luftës Antifashiste. Është e turpshme të dëgjosh, madje edhe nga “akademikë e shkencëtarë”, se si glorifikohet nazizmi dhe politikat e ndjekura prej tij, vetëm se Hitleri gjoja premtoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë apo që lufta ndaj Nazifashizmit mundësoi ardhjen e Enver Hoxhës në pushtet dhe, si e tillë, nuk ka asnjë vlerë dhe të mohohet gjaku i mijëra të rinjve dhe të rejave idealistë, që ranë për atdheun në moshë të njomë.

Këto mendime e shumë teza të tjera, që kulmojnë me shndërrimin e Luftës Antifashiste në një luftë civile, kanë pështjelluar mendjet e shqiptarëve pas vitit 1990. Sigurisht që rishikimi i kësaj periudhe historike është i nevojshëm, por duhet të kryhet nga institucione të mirëfillta shkencore dhe jo nga zgjatimet e grupeve të interesit apo individëve të caktuar, të strukur nën petkun e një pseudo-akademizmi të siguruar me qoka e mandate, madje edhe parlamentare.

Sa më sipër, prishja dhe tjetërsimi i institucioneve dhe hallkave shkencore në këto 28 vitet e fundit, që deri në vitin 1990 merreshin me trajtimin shkencor të së kaluarës, tregon më së paku një përpjekje për të manipuluar kujtesën historike ndaj luftës Antifashiste, ku qartazi vendosen në rolin e viktimave ish-bashkëpunëtorë të Nazifashizmit.

I vetmi argument që përdoret është antikomunizmi i tyre, i cili jo vetëm që duhet të trajtohet rast pas rasti, por po ashtu nuk mund të jetë vlerë përgjithësuese që zeron çdo mëkat, gabim apo krim që kanë kryer krah pushtuesit ndaj historisë së kombit dhe bashkatdhetarëve të tyre.

Pa dashur të krijojmë ndonjë përshtypje të gabuar, në këtë luftë ka edhe viktima dhe, për këtë nuk mund të mjaftohemi me argumentin se kështu e ka lufta, por duhet që të gjitha rastet të evidentohen dhe të trajtohen me paanshmëri.

Sikurse është e nevojshme që, me të njëjtin kujdes historik dhe shkencor të vlerësohet edhe pala tjetër që doli fitimtare nga lufta, gjatë së cilës dhe në emër të cilës janë bëre edhe vrasje dhe spastrime, personale dhe politike.

Gjithsesi, këto fenomene nuk mund të përgjithësohen dhe nuk ja ulin aspak vlerën natyrës antifashiste të saj. Dhe këtë trajtim e bëjnë vetëm institucionet, siç do të ishte për shembull Instituti i Studimit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por si shfaqet përvoja jonë në këtë fushë?

Fill pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, u krijua dega e Historisë Ushtarake, që shpesh njihej edhe me emrin Zyra e Historisë Ushtarake. Misioni i saj ishte gjetja, grumbullimi, skedimi dhe botimi i dokumenteve historike, sidomos për periudhën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri 1939-1944. Kjo Zyrë u mbyll shpejt nga fillimi i viteve 1950.

Në vitin 1953 u përfshi në programet mësimore të Shkollës së Oficerëve lënda e Historisë Ushtarake. Dhjetë vite më vonë, në vitin 1963, kjo lëndë hyri dhe u bë pjesë e programit mësimor në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu“, paraardhësja e Akademisë së Forcave të Armatosura.

Kjo lëndë ishte pjesë e katedrës së zbulimit dhe ushtrive të huaja. Në vitet 1970-1986, në Akademinë e Mbrojtjes u përurua dhe funksionoi Sektori i Studimeve të Shkencave Ushtarake. Pjesë e rëndësishme e saj ishte edhe Dega e Historisë së Artit Ushtarak me dy ndarje, a) nga Lashtësia deri në vitin 1939 dhe b) Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare 1939-1945

Në to punonin afro 15 punonjës shkencorë/ pedagogë, të cilët merreshin me studime të mirëfillta shkencore, natyrisht me kufizimet e asaj periudhe për shkencat historike në përgjithësi dhe atë ushtarake në veçanti. Puna e tyre u karakterizua në veprat „Historia e artit ushtarak të popullit shqiptar në LANÇ 1939-1944“, botuar në vitin 1989dhe „Historia e Artit Ushtarak shqiptar nga lashtësia deri në vitin 1939“, botuar në vitin 2001.

Ky sektor u mbyll në vitin 1986 dhe u fuqizua Katedra e Historisë së Artit Ushtarak, e cila kishte 7 anëtarë dhe merrej me mësimdhënien e kësaj lënde. Afro 70% të vëllimit të punës së kësaj Katedre e zinte puna kërkimore-shkencore. Përmasat dhe misionin e saj Katedra e ruajti deri në vitin 1992, kur nisi shkurtimi dhe reformimi i Ushtrisë Shqiptare. Aty nga fundi i vitit 1993, Katedra e deriatëhershme u zvogëlua në 4 vetë.

Në vitet 1996-1999 efektivi i saj ra në 3 vetë dhe u quajt Dega e Historisë Ushtarake, e cila u mor me studimin dhe evidentimin e historisë së ushtrive shqiptare në vitet 1912-1939. Në përfundim të vitit 2000, Dega botoi librin „Historia e Ushtrisë Shqiptare 1912-1939“, pjesa e parë. Në dhjetor 2004, kjo Degë u shpërnda plotësisht.

Prej vitit 2006 ajo u rikrijua me tre anëtarë në Akademinë e  Mbrojtjes „SpiroMoisiu“ dhe qysh prej kësaj kohe ka ruajtur pak a shumë këtë strukturë dhe këtë mision.

Siç shohim më sipër, deri në vitin 1990 studimi i Luftës Antifashiste, si një pjesë e rëndësishme e Historisë Ushtarake të popullit shqiptar, shfaqet në një formë të konsoliduar institucionale, ndërkohë që me ardhjen e ndryshimeve demokratike, në pikëpamje të përmbushjes së misionit, kjo strukturë është pothuajse jo ekzistente.

Theksuam vetëm historinë ushtarake, si një aspekt të rëndësishëm të Historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe reformat e ndërmarra në institucionet e tjera, siç është Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë etj. të cilët janë përgjegjës kryesorë për shkrimin e historisë kombëtare, janë tjetërsuar dhe luftojnë për ekzistencën e tyre, si në pikëpamje strukturore, financiare por edhe shkencore.

Parë në këtë këndvështrim, por nisur edhe nga përvojat botërore, tani më vonë se kurrë, duhet që qeveria të hartojë një ligj për ngritjen e një instituti për Studimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në varësinë e Kuvendit të Republikës, me një mision dhe status të qartë shkencor. Nëse është krijuar një institut për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në periudhën 1944-1990, i cili varet nga Kuvendi dhe raporton çdo vit para tij, përse nuk duhet të ngrihet edhe një institucion i tillë, i cili të ketë në misionin e tij studimin e LANÇ-it?

Përveç studimit në mënyrë objektive të kësaj periudhe të rëndësishme në aspektin e së shkuarës, ngritja dhe produkti shkencor i studimeve të antifashizmit shqiptar si pjesë e atij botëror, që do të ketë ky institucion, i shërben edhe edukimit qytetar dhe brezit të ri, sidomos në një kohë kur në Europë po vërehet një gjallërim i vrullshëm i ekstremizmit të djathtë, përfaqësuar nga parti me ngjyra të theksuara Neofashiste e Neonaziste.

Për hir së vërtetës,në një projekt të tillë u punua para disa vitesh nga deputetja e Partisë Socialiste, znj. Xhaçka, por puna mbeti në kuadër të një projekti dhe nuk pati zhvillime të mëtejshme. Ndoshta do të ishte mirë që ky projekt të nxirrej përsëri nga sirtari./ Dita