“Dhjami i të vdekurve” hyn në industrinë e bukurisë, injeksioni i ri hap debat në SHBA
Dritare.net

Një trajtim i ri estetik po tërheq vëmendjen në Shtetet e Bashkuara dhe njëkohësisht po hap një debat të fortë etik. Bëhet fjalë për alloClae, një injeksion për formësimin e trupit që përdor ind dhjamor të marrë nga trupa të dhuruar për qëllime mjekësore.
Sipas një raportimi të CNN, produkti po prezantohet si një alternativë e re ndaj ndërhyrjeve tradicionale estetike, duke u ofruar pacientëve mundësinë për të rikthyer volumin në zona të caktuara të trupit pa operacione të mëdha dhe pa periudha të gjata rikuperimi.
Trajtimi ka fituar popullaritet veçanërisht tek personat që kanë humbur shumë peshë përmes medikamenteve të reja për dobësim, si Ozempic dhe Wegovy. Pas rënies së shpejtë në peshë, shumë pacientë kërkojnë të rikthejnë volumin në zona si fytyra, gjoksi apo të pasmet.
Kompania prodhuese Tiger Aesthetics deklaron se më shumë se 2 mijë persona janë trajtuar me alloClae që nga viti 2025. Injeksioni promovohet si një formë “dhjami i gatshëm”, një alternativë ndaj metodës tradicionale ku merret dhjamë nga vetë trupi i pacientit përmes liposuksionit.
Por risia ka sjellë edhe reagime të forta. Disa kritikë e kanë quajtur procedurën “injektim nga kufomat”, duke ngritur pyetje mbi etikën e përdorimit të indeve njerëzore për qëllime estetike dhe mbi mënyrën se si informohen familjet e donatorëve.
Ekspertët e bioetikës kanë shprehur shqetësime se përdorimi komercial i pjesëve të trupit të dhuruar mund të bie ndesh me parimin e altruizmit, pasi familjet e donatorëve nuk përfitojnë financiarisht nga përdorimi i këtyre indeve.
Nga ana tjetër, prodhuesit argumentojnë se procesi kryhet përmes bankave të indeve të kontrolluara dhe se donatorët japin pëlqimin për përdorimin e materialeve biologjike, përfshirë edhe përdorime komerciale në disa raste.
Megjithatë, disa mjekë mbeten të kujdesshëm dhe kërkojnë më shumë studime afatgjata për të vlerësuar sigurinë e procedurës. Disa pacientë kanë raportuar komplikacione pas injektimit, duke përfshirë probleme me përthithjen e materialit nga trupi.
Në një kohë kur industria e bukurisë po ndryshon me ritme të shpejta, alloClae shihet si një tjetër hap drejt personalizimit ekstrem të trupit. Për disa është një inovacion i ri mjekësor, ndërsa për të tjerë një kufi i ri etik i kaluar në emër të pamjes perfekte.
Burimi: CNN