Dështoi ekzekutimi me injeksion, Christa Pike mbijeton: Tennessee pezullon ekzekutimet
Dritare.net

SHBA – Një ekzekutim me injeksion vdekjeprurës në Tennessee ka dështuar, pasi e dënuara me vdekje Christa Pike mbeti gjallë edhe pasi iu administruan dy doza të pentobarbitalit.
Pike ishte lidhur në barelë të mërkurën në mbrëmje, pasi ishte planifikuar të bëhej gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas rreth 200 vitesh. Por procedura nuk shkoi sipas planit. Pas administrimit të dozave, ajo vijoi të merrte frymë dhe, sipas dëshmive të gazetarëve të pranishëm, dëgjoheshin edhe gërhitje.
Avokati i saj, Randy Spivey, tha se Pike ndodhet në gjendje kritike dhe po merr trajtim mjekësor. Ekipi ligjor kërkoi që dënimi me vdekje t’i zëvendësohet me një dënim tjetër, duke argumentuar se ajo kishte përjetuar një vuajtje të jashtëzakonshme.
Sipas avokatëve, ekipi i ekzekutimit kaloi rreth një orë duke tentuar të vendoste linjën intravenoze dhe përdori të paktën shtatë gjilpëra në krahun e saj të majtë. Ata kanë ngritur shqetësime për vështirësinë në gjetjen e venave, gjendjen e ilaçit dhe mungesën e një procedure të qartë emergjente në rast se injeksioni nuk funksionon.
Ngjarja ka nxitur pikëpyetje të shumta mbi mënyrën se si u zhvillua procedura. Gazetarët që dëshmuan ekzekutimin thanë se në momente të ndryshme perdet që ndanin dhomën e dëshmitarëve nga dhoma e ekzekutimit ishin mbyllur, duke bërë që një pjesë e zhvillimeve të mos shihej.
Nga ana tjetër, Departamenti i Korrigjimeve në Tennessee deklaroi se kishte ndjekur protokollin zyrtar të ekzekutimit dhe se ilaçi i përdorur në procedurë ka rezultuar efektiv në raste të tjera.
Pas incidentit, guvernatori i Tennessee, Bill Lee, njoftoi pezullimin e ekzekutimit të fundit të planifikuar për këtë vit, ndërsa do të zhvillohet një rishikim i pavarur për të përcaktuar se çfarë ndodhi.
Christa Pike u dënua me vdekje për vrasjen në vitin 1995 të 19-vjeçares Colleen Slemmer. Rasti i saj tashmë është kthyer në një pikë të rëndësishme debati mbi procedurat e ekzekutimeve me injeksion vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara.
Sipas ekspertëve të cituar në raportimin e CNN, rastet kur një ekzekutim dështon plotësisht janë jashtëzakonisht të rralla. Një nga precedentët historikë është ai i Willie Francis, i cili mbijetoi një ekzekutimi në karrigen elektrike në Louisiana rreth 80 vite më parë, për t’u ekzekutuar më vonë në një përpjekje të dytë.
Në rastin e Pike, autoritetet pritet të përballen tashmë me hetime dhe pyetje të reja mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe hapat që mund të ndërmerren më tej./L.F-dritare.net