Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë po ndodh në Kuvend? Opozita nuk lejon raportimin e Avokatit të Popullit, seanca ndërpritet dy herë

Seanca plenare u përfshi sërish nga tensionet, pasi deputetët e opozitës refuzuan të lirojnë foltoren edhe pas rikthimit nga pushimi pesëminutësh, duke pamundësuar vijimin e raportimit të Avokatit të Popullit. Kryesuesi i seancës, Niko Peleshi, u bëri disa herë thirrje deputetëve të opozitës të respektojnë rregulloren dhe të lejojnë zhvillimin normal të punimeve, duke theksuar se Kuvendi nuk mund të funksionojë me bllokimin e foltores.

"Nuk e kemi arenë gladiatorësh Parlamentin. Lironi foltoren! Mos u impononi mendimin tuaj kolegëve të tjerë që po presin të dëgjojnë raportin. Nuk jeni këtu për forcën fizike. Jemi për të përplasur mendimet, jo kokat. Pa dëgjuar raportin nuk mund të diskutojmë në ajër dhe nuk ka shans t'i impononi Kuvendit rendin e ditës", deklaroi Peleshi.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se opozita nuk do të lejojë raportimin e Avokatit të Popullit, të cilin e cilësoi "ushtar të Ramës". Sipas tij, zgjedhja e tij është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese dhe deri në marrjen e një vendimi nuk duhet të raportojë në Kuvend.

"S’mund ta provokoni opozitën duke sjellë për të raportuar në këtë seancë një njeri që është zgjedhur në flagrancë në shkelje të Kushtetutës. Nuk kemi nevojë të dëgjojmë një njeri që s’ka ngritur kurrë zërin gjithë këto muaj, është sjellë si ushtar partie dhe jo si Avokat i Popullit. Largojeni nga salla e Parlamentit. Grupi ynë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sa kohë nuk ka vendim, respektoni këtë sensibilitet të opozitës", deklaroi Bardhi.

Pavarësisht thirrjeve të Peleshit, deputetët e opozitës vijuan të qëndrojnë në podium, duke mos lejuar nisjen e raportimit të Avokatit të Popullit. Për shkak të ngërçit, seanca u ndërpre për herë të dytë, me një tjetër pushim prej pesë minutash./K.C/dritare.net