Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë na tregoi për Shqipërinë, kryebashkiakja e Durrësit

Çfarë na tregoi për Shqipërinë, kryebashkiakja e
Nga Dosti Banushi 

Thonë se është mirë kur e di që nuk di. Unë ama s'po ndihem fare mirë me veten që nuk e di, si ka mundësi që ne shqiptarët e lejojmë veten të drejtohemi nga disa njerëz që e kanë të humbur sensin e përgjegjësisë.

Kushdoqoftë që thotë se ajo gafë e kryebashkiakes duhet falur për shkak të rrethanave të vështira ku ajo ndodhej, i duhet thënë dhe rikujtuar se, lidershipi është sfidë dhe përgjegjësi, nuk është rrumpallë. Fatkeqësisht, në Shqipërinë tënde dhe timen, lidershipin rrallë e kanë marrë seriozisht. Ja për shembull Rama, i cili në votimet e 30 qershorit kishte shancin e madh të na tregonte se lidershipin e ka seriozisht dhe jo me tallje, por që duke u tallur përfundoi. Ca kryebashkiakë i qëlluan të dënuar me vepra penale, e ca të tjerë i zgjodhi injorantë...

Tani, që kjo Shqipëri ka njerëz të zgjuar, ka njerëz të përgjegjshëm, ka njerëz të drejtë, ka njerëz punëtorë, ne këtë e dimë se me të atillë njerëz shoqërohemi në përditshmëri. Këtë e dëshmoi dhe kjo tragjedi.

Mirëpo na lind pyetja, pse dreqin kemi në krye ca të paaftë, e jo këta të zgjuarit e të përgjegjëshmit? Përgjigja është sepse ne, unë dhe ti, nuk kemi pasur kurrë mundësinë të zgjedhim atë që na e do arsyeja.

Modeli ynë zgjedhor është shumë i ngurtë dhe vjen nga lartë-poshtë, e jo nga poshtë-lart. Kjo do të thotë se askush (përveç kryetarit) nuk ka zë në zgjedhjen e kandidatëve që marrin pjesë në garën për poste publike. Madje as ata të anëtarësuarit në parti politike, kryesisht nuk kanë fare mundësi të shprehen lidhur me preferencat e tyre mbi anëtarët që do donin t'i shihnin në garë. Kjo lë vend për abuzime nga pushtetarët, të cilët preferojnë që pushtetin ta ndajnë me injorantë që dinë vetëm të servilosen, e jo me njerëz që si virtyt udhëheqës në punën e tyre kanë profesionalizmin dhe integritetin. Kështu, liderat e politikës sonë vendosin përballë njëri-tjetrit dy alternativa të këqija dhe ne zgjedhim alternativën më pak të keqe, që sidoqoftë, është mjaftueshëm e keqe sa për t'i shërbyer interesave të kryetarit. Pra, ne zgjedhim gjithmonë atë çka i pëlqen të madhit, po asnjëherë atë çka do na pëlqente neve. Biles, mundësisht ai që na pëlqen neve as nuk e ëndërron të kandidojë ndonjëherë, sepse sheh nga televizori, 'politikanë' sikurse kryebashkiakja e Durrësit dhe thotë: "Unë nuk jam aq injorant për të merituar ndonjë post të rëndësishëm." Dhe të drejtë ka, pasi duke u caktuar çdo gjë  së larti, dhe ai i larti ka nevojë vetëm për injorantë e servila, çdo njeri që s'e njef veten as si injorant e as si servil, nuk e merr mundimin të përpiqet, se e konsideron fyerje për veten.

Ky model i ngurtë, me pak apo aspak garë, ka pjellur këtë pasojë: Valbona Sakon. Kjo zonjë që drejtonte bashkinë e Durrësit, për injorancën e vet është vet përgjegjëse. Por përgjegjësinë që një qytet i rëndësishëm si ai i Durrësit të drejtohet nga njerëz të paaftë, e mban Rama.

Këtë pra na mësoi kryetarja e Durrësit nëpërmjet katapultimit që iu bë në pushtet: Një sistem i mbyllur elektoral, i krijuar nga Berisha dhe i perfeksionuar nga Rama, tanimë është përgjegjës jo vetëm për mënyrën si jetojnë njerëzit, por edhe për mënyrën si vdesin. Po të kishim model të hapur zgjedhor, do kishim garë më shumë, ç'ka sjell përsosje te kandidatët. Fitorja e kandidatëve të aftë në politikë, s'do lejonte ndërtime pa leje kuturu, e do krijonte një përgjigje më të organizuar dhe të parapërgatitur ndaj fatkeqësive natyrore.

Unë nuk e di sa Valbona Sako, sa Vangjush Dako apo sa Saimir Tahira na duhen ne në Shqipëri, për të kuptuar se sistemi politik që i prodhon këta është i gabuar dhe duhet ndryshuar. / Dritare.net