

“Gjithë SPAKU në vetevete është një strukturë hetimore.Quhet SPAK, apo Byro kjo është çështje emri” – tha ministri duke lënë të kuptohet që ndoshta nuk ka nevojë për dy struktura të mbivendosura.
Intervista e z.Manjani:
Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar, SPAKU. Duhet të vendoset në Kushtetutë apo rregullohet me ligj?
Manjani: Për mua jo. Nuk ka vend në Kushtetutë ajo.Është e ngjashme me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.Kur bëmë Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda nuk ndryshuam Kushtetutën, e bëmë pa ndryshime kushtetuese. E njëjta gjë mund të bëhet edhe më këtë formulë.Por me rëndësi është kush do merret me hetimin në këtë vend, nëse zgjidhim këtë SPAKU është gjëja më e thjeshtë. Nuk kemi nevojë të shpikim, ashtu si e kanë bërë kroatët ta bëjmë dhe ne. Me strukturë të posacme brenda Prokurorisë.Autonome nga Prokuroria. Drejtorin e propozon Ministri i Drejtësisë dhe e zgjedh prokurori i përgjithshëm.
Byroja Kombëtare e Hetimit u miratua në qeveria pak ditë para ardhjes së John Kerryt në Tiranë, duhet të jetë në Kuvend diku.
Manjani: Byroja Kombëtare e Hetimit nuk është miratuar në qeveri, nuk miraton ligje qeveria, propozon.Qeveria i ka propozuar parlamentit një draft për Byronë e Hetimit.I takon parlamentit ta shohë edhe në kuadër të Venecias edhe reformës për drejtësi.
Drafti që ka ardhur nga Venecia nuk përmend Byro Kombëtare të Hetimit.
Manjani: Si t’ia bëjmë tani? Nuk e di çfarë ndodhi por SPAKU që është struktura antikorrupsion e këtij shteti duhet bërë.Do bëhet me çdo kusht brenda kuadrit kushtetues, ligjor sipas modelit të gjykatës dhe prokurorisë së krimeve të rënda duke përdorur po të doni ju edhe modelin kroat që për mua dhe sipas analistëve ka qenë më i suksesshmi.Modele të tjera na kanë çuar në gjueti shtrigash dhe nuk kemi ndërmend
të bëjmë reformë për gjueti shtrigash, por reformë për të luftuar korrupsionin.SPAKU do duhet të futet edhe në hullinë që ka thënë Venecia.
Byroja Kombëtare e Hetimit nuk do të ngrihet?
Manjani: Nuk e di. Gjithë SPAKU në vetevete është një strukturë hetimore.Quhet SPAK, apo Byro kjo është çështje emri.
Brenda SPAK-ut mund të ketë Byro?
Manjani: Po mund të jetë Byroja pjesë e SPAK-ut, e cila duhet të jetë pjesë e prokurorisë me sa duket.
Jo e Ministrisë së Brendshme?
Manjani: Patjetër që jo, kështu i bie teorikisht.Praktikisht mund të jetë dhe në Ministri të Brendshme, nuk e di.Por po
të lexohen me vëmendje ato që ka thënë Venecia del i qartë konkluzioni.
Pse ka një hezitim për të mos pranuar modelin amerikan dhe anglosankson. Që Ministrri i Drejtësisë të jetë edhe Prokurori i Përgjithshëm?
Manjani: Nuk ka problem, unë e pranoj dhe atë. Kjo ka të bëjë me traditën jo fort të mirë në ndjekjet penale, komunizimni është ende i freskët në mendjet tona ku hetuesi dhe prokurori të bënin gjëmën dhe nëse hetuesi dhe prokurori motivohen politikisht atëherë sisgurisht që e kompromenton të tërën, ndjesinë e të dhënit drejtësi.

















