Na ndiqni edhe në

Bota

Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndërtojnë një qytet në Gaza

Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndërtojnë një qytet në

The Guardian

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) po planifikojnë të financojnë atë që quhet “qyteti i parë i planifikuar” në Rripin e Gazës, i cili pritet të ndërtohet në periferi të shkatërruara të Rafahut, qyteti më jugor i territorit. Sipas dokumenteve të planifikimit dhe burimeve të njohura me bisedimet e fundit në Qendrën Civilo-Ushtarake të Koordinimit (CMCC), banorët palestinezë do të kenë qasje në shërbime bazë si arsim, shëndetësi dhe ujë të rrjedhshëm, por vetëm pas verifikimit të sigurisë dhe mbledhjes së të dhënave biometrike.

Ky projekt do të ishte investimi i parë i EBA-së në rindërtimin e pasluftës në një zonë të Gazës që aktualisht kontrollohet nga Izraeli. Sipas mediave shtetërore të Emirateve, vendi ka dhënë mbi 1.8 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Gazën që nga 7 tetori 2023, duke u bërë donatori më i madh humanitar.

Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndërtojnë një qytet në

Planet janë përfshirë në një prezantim jo-konfidencial të siguruar nga media ndërkombëtare dhe janë miratuar nga planifikues ushtarakë izraelitë. Projekti po paraqitet si një “rast studimor” që mund të shërbejë si model për komunitete të tjera të ngjashme, të cilat zyrtarët amerikanë dhe izraelitë i përshkruajnë si “komunitete alternative të sigurta”.

Sipas dokumenteve, autoritetet synojnë të kufizojnë ndikimin e Hamasit përmes masave si përdorimi i kuletave elektronike në shekel për të shmangur devijimin e fondeve dhe një kurrikulë shkollore të ofruar nga EBA, e cila nuk do të jetë e lidhur me Hamasin. Banorët do të lejohen të hyjnë dhe të dalin nga zona, por vetëm pas kontrolleve të sigurisë.

Megjithatë, projekti ka ngjallur kritika të forta. Ekspertë të OKB-së dhe të drejtave të njeriut paralajmërojnë se mbledhja e të dhënave biometrike dhe verifikimi i detyruar mund të çojnë në zgjerimin e mbikëqyrjes dhe shkelje të të drejtave themelore të palestinezëve. Kritikët theksojnë gjithashtu rrezikun e zhvendosjes së detyruar të popullsisë, gjë që sipas ligjit ndërkombëtar përbën krim lufte.

Rindërtimi i Gazës vlerësohet të kushtojë të paktën 70 miliardë dollarë dhe, sipas Kombeve të Bashkuara, mund të zgjasë deri në 80 vjet për shkak të shkallës së shkatërrimit. Ende mbetet e paqartë nëse dhe si do të realizohet projekti i “New Rafah”, si dhe cili do të jetë ndikimi i tij real mbi jetën e palestinezëve./L.F-dritare.net