
Ceremoni brenda Windsor-it, protesta jashtë/ Si u prit Donald Trump në Britani të Madhe!
Dritare.net
Presidenti amerikan Donald Trump u prit sot me një ceremoni madhështore shtetërore në Britaninë e Madhe, gjatë vizitës së tij të dytë zyrtare në këtë vend.
Trump, i shoqëruar nga zonja e parë Melania, mbërriti në Windsor Castle, ku u mirëprit nga Mbretëri Charles III, Mbretëresha Camilla, Princi William dhe Princesha Kate. Procesioni ceremonial përfshiu një paradë kalorësie, himnet kombëtare, si dhe inspektimin e gardës së nderit nga presidenti amerikan.
Marrëveshje miliardëshe SHBA–Britani
Gjatë vizitës, u nënshkrua një marrëveshje strategjike teknologjike me vlerë 31 miliardë paund (rreth 42 miliardë dollarë). Pakti përfshin bashkëpunim në fusha kyçe si inteligjenca artificiale, llogaritja kvantike dhe energji bërthamore civile. Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi marrëveshjen si një hap të madh për forcimin e ekonomisë dhe lidershipit teknologjik të Britanisë.
Protesta dhe tensione jashtë mureve të Windsor-it
Ndërsa brenda pallatit mbretëror mbizotëronte atmosfera festive, jashtë nuk munguan tensionet. Qindra protestues u mblodhën në rrugët e Londrës dhe pranë Windsor Castle për të kundërshtuar vizitën e Trump.
Disa aktivistë shfaqën imazhe të oresidentit amerikan me Jeffrey Epstein në muret e kështjellës, çka çoi në arrestimin e katër personave. Protestuesit e akuzuan Trump për politika diskriminuese dhe dëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Një vizitë me kontraste të forta
Vizita e sotme e Trump në Britani përshkruhet si një kombinim i pompozitetit mbretëror, interesave ekonomike dhe kundërshtimeve të ashpra publike. Përkrahësit e shohin si një shans për forcimin e lidhjeve transatlantike, ndërsa kritikët e konsiderojnë një hap të diskutueshëm për prestigjin e monarkisë dhe politikës britanike./K.C/dritare.net

















