Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Blendi Klosi dhe sfida 10 milionëshe

Blendi Klosi dhe sfida 10 milionëshe
Nga Dritan Hila- Editorial emisioni Arena

Pas vitesh të gjata përsëritjeje të slloganit se turizmi është e ardhmja e Shqipërisë, ngjan se edhe klasa drejtuese ka arritur në këtë përfundim. Nuk kemi arsim cilësor, nuk kemi industri, rrjedhimisht na mbetet të bëjmë ajo që kërkon më pak nga të gjitha këto degë.

Por nuk është e lehtë. Fusha ku kemi zgjedhur të konkurojmë është me garues të fortë që kanë kohë që e praktikojnë.

Nuk po bëjmë krahasime me Italinë. Në vitin 2016 gadishullin apenin e vizituan 52 milionë turistë që sollën 40 miliard euro të ardhura. Ndodhet në vendin e pestë të klasifikimit botëror për të dy treguesit. Konkurimi është i humbur që në nisje me vendin që ka primatin botëror të trashëgimisë kulturore dhe ushqimit.

Duke ju kthyer Ballkanit, në jugun tonë është Greqia. Me 10 milion banorë ajo u vizitua nga 25 milion turistë duke zënë vendin e 14 në rang botëror. I sollën 15 miliard euro të ardhura, dhe e renditën në vendin e 21 në rang botëror.

Turqia është gjigand i resorteve dhe hotelerisë.Me 40 milion turistë në vit, kap vendin e 6 në klasifikimin botëror dhe me 35 miliard hyrje nga kjo industri, renditet në vendin e 9.

Por le të shkojmë në një komb i cili ka popullsi të ngjashme me tonën. Është Kroacia. Me diçka më shumë se 4 milion banorë por me një vijë bregdetare spektakolare, ajo është trashëgimtarja e turizmit jugosllav. Por kjo nuk do të thotë gjësend në një treg kompetitiv si ai i turizmit. Nga një studim i bërë nga konkurentja e saj, Italia, kroatët llogariteshin si rreziku potencial i konkurencës. 7 miliard dollarë do të investonte fqinji ynë verior në harkun kohor 2013-2020. Do përqëndroheshin në përmirësimin e infrastrukturës hoteliere, apartamenteve, moleve turistikë dhe anijeve hotel. Janë në mes të rrugës por duket se janë shpërblyer. Vjet Kroacia u vizitua nga 14 milionë turistë që e rendisin në vendin e 24 të Mekave botërore të turizmit. I sollën 10 miliardë dollarë të ardhura. 18% e GDP-së kombëtare.

Sa për ne, jemi akoma larg. Me katër milion turistë në vit ku pjesa më e madhe është turizmi patriotik renditemi në vendin e 57. Më poshtë se Birmania apo Siria kur ishte në prag lufte. Të ardhurat prej 1.6 miliard euro na rendisin në vendin e 86, edhe më poshtë se Tanzania, Azerbajxhani apo Gjeorgjia, vende të  padëgjuara më parë për ndonjë atraksion.

Vështirësive të konkurencës i shtohen ato të brendshme. Agroturizmi është në moshë latente. Turizmi kulturor ende i pazbuluar për ne vetë. Anijet turistike numërohen me gishtat e njërës dorë. Dhënia e varkave me qera, inekzistent për shkak të ligjit restriktiv për lundrimin që e mbyt në djep çdo iniciativë të tillë.

Ndërkohë pastërtia e natyrës, pavarësisht fushatave qeveritare, le për të dëshiruar. Kazanët e plehrave të stërmbushur ose mbeturinat të lënë nga pushuesit shqiptarë si lopa bajgën, janë familjare në sytë tanë. Vija bregdetare si ajo e Semanit, Portonovos e të tjera, janë të mbytura nga mbeturinat që sjellin lumenjtë nga brendësia. Janë nga qeset plastike deri tek mbeturinat spitalore që firmat fituese të tenderave në vend se ti asgjësojnë e kanë më kollaj ti hedhin në lumë.

Ndërkohë mungesa e kamerierëve të kualifikuar dhe shefave të kuzhinës, ka detyruar shumë sipërmarrës shqiptarë të marrin nga jashtë.

Një tjetër sfidë e jona në të ardhmen është planifikimi urban në zonat që janë ende të lira. Përballë fqinjëve që punojnë me strategji 20 vjeçare, lind nevoja që ne mos të përsërisim gafat e ndërtimeve që bëmë në bregun e Durrësit. Sa i përket banesave ende të pashitura në qytete e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, duhet parë mundësia e kthimit të tyre në hotele apo Bed and Breakfast. Sepse turistët duan edhe krevatë ku të flenë.

Në vitin 2018, shqiptarët kanë filluar të ndërgjegjësohen se kush është e ardhmja e tyre. Është turizmi në të gjithë degët e tij. Por është një sfidë e vështirë për tu fituar. Jo sepse fqinjët e kanë inatin me ne, por thjesht janë shumë më mirë se ne. Ajo që duhet të bëjmë është t’iu heqim një pjesë të fluksit që shkon aty. Nuk e bën dot vetëm qeveria, nuk e bëjnë dot vetëm sipërmarrësit. Duhemi edhe ne, të kontribuojmë duke filluar nga mos’hedhja e qeseve në rrugë. Dhe në i bëfshim të gjitha këto, pastaj të shohim sa do ja dalim./Dritare.net/

https://youtu.be/eqGEFy6LP54