
Berisha: Fatos Klosi vrau kolonel Ahmet Krasniqin
Dritare.net

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një intervistë dhënë për “Bota sot” ka folur për shumë tema, nga ato të kaluarat deri tek ngjarjet aktuale.
Berisha ka hedhur akuza të forta edhe për ish-kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosin, duke e akuzuar atë për vrasjen e kolonelit Ahmet Krasniqi.
“Bota sot”: Z. Berisha, tashmë po bëhen 20 vite nga vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit në Tiranë, ndërkohë që kjo vrasje nuk është zbardhur ende, nga kush mendoni se është vrarë kolonel Krasniqi, Kosova apo Shqipëria apo të dyja bashkërisht?
Sali Berisha: Unë e kam njohur e kam takuar disa herë dhe ruaj kujtimet më të mira për kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e luftës të Qeverise së Kosovës të presidentit Rugova me kryeministër Bujar Bukoshin. Në tre takimet, qëllimi i ardhjes së tij tek unë ishte vetëm një: Të ndihmoja në bashkëpunimin e tij dhe forcave që ai komandonte me forcat e UÇK-së.
Ahmet Krasniqin e ekzekutuan në rrugicën në prag të derës së shtëpisë ku banonte, Fatos Klosi, pra shërbimi inteligjent shqiptar. Kjo është e padiskutueshme dhe gjerësisht e njohur. Pra organizator direkt i krimit të shëmtuar politik është Fatos Klosi, i cili gjatë qeverisë time ndiqej për lidhje me dy shërbime të huaja. E bëri këtë me punonjës të tij apo vrasës me pagës këtë duhet që ta sqaroj drejtësia. Pas rikthimit në pushtet jam përpjekur që të zbardhet kjo vrasje, por kontrolli i PS-së mbi prokurorinë e bëri të pamundur këtë.

















