
Ditët e fundit në rrjet qarkulloi një video që thoshte se është Parashqevi Simaku. Kjo shkaktoi dëshpërim, zemëratë, për mënyrën se si u hodh në treg kjo video.
Ne po rindajmë me ju sot një intervistë të bërë më 14 shkurt 1997, nga gazetarja Rudina Xhunga.Sot do ju sjellim një fragment të intervistës, në të cilën ylli shqiptar rrëfen largimin nga Shqipëria, për ëndrrën amerikane.
Pse nga intervista me gazetaren Rudina Xhunga!
Ju në Shqipëri vetëm keni kënduar. Tani si keni mundur dhe të kompozoni?
Më parë unë nuk e kam provuar. Në Amerikë kam studiuar dhe punuar duke mundur së fundi të kompozoj, sidoqoftë jo krejtësisht vetëm. Krahë më ka dhënë sidomos kënga popullore shqiptare që e kam kënduar për aq shumë kohë në Shqipëri.
Dhe në Amerikë fillimisht?
Po, në Amerikë më ftoi një familje dibrane e cila më lidhi një kontratë pune nën restorantin e saj në Nju Jork. Vetëm se nuk këndova ato këngët e trishtuara popullore që linin shije të keqe, por shfrytëzova fillimisht repertorin tim të muzikës popullore dhe asaj të lehtë. Ndjenjat që përcillja tek shqiptarët në Amerikë, fitimi fillestar, nisi të më pëlqente, por pa harruar që sapo kisha hyrë dhe duhej të vazhdoja. U njoha me Antoni Athanas, i cili është heroi i ëndrrës sime. Ai kishte arritur majat e suksesit dhe përderisa Amerika atij ia kishte dhënë këtë mundësi, pse të mos ma jepte mua. Ndaj i kërkova një mendim të sinqertë dhe ai së pari më këshilloi hapin e parë, të mësoja gjuhën. Mandej më prezantoi me Stan Dragotin, të cilit i thashë se nuk kërkoja prej tij të më bënte artiste, por si thotë fjala e vjetër amerikane: “Fati është të njihesh me njerëzit e duhur në kohën e duhur”. Për mua njeriu i duhur ishte ai, koha më ngelej ta përcaktoja. Për një vit jetova e vetme në Nju Jork, ku fillova një kurs intensiv gjuhe, të shoqëruar nga njohja e muzikës amerikane.
Si e siguronit financimin e kurseve?
Duke punuar padyshim shumë dhe duke dëshiruar shumë të arrij. Në Amerikë mjafton të duash dhe të dish të kërkosh atë që do, është i vetmi vend, ndoshta, ku cilido qofsh, s’ka ëndërr që s’të bëhet realitet.
Veç martesës suaj, jeta juaj sentimentale në Amerikë ka qenë e bardhë, e zbrazët?
Ka qenë e mbushur me eksperienca të ndryshme, por jo të rëndësishme. Dashuria e vetme që më mbante ka qenë afrimi tek ëndrra që sa më shume i afrohesh aq më shumë të largohet. Unë kam temperament, di të kërcej, të josh, të vishem, mësohem shpejt me të renë, por të gjitha di t’i tregoj me masë, e aty ku duhet. I përkas një vendi konservator si Shqipëria, një familjeje ku nëna rrinte në radhë për ushqimin tonë, ndaj s’ka si të mos e njoh ndjenjën e masës.
Si tentuat mandej Hollivudin?
Një profesor i imi, pasi nisa të këndoj anglisht në restorantet amerikane më këshilloi: “Simaku provo Hollivudin. Konkurrenca duhet parë në sy që të përballet dhe konkurrenca e artit është Hollivudi”. Takova sërish z. Dragoti që u habit nga anglishtja ime e përmirësuar dhe më ndihmoi duke më prezantuar me njerëz që dikur për mua ishin copëza të ëndrrës, e cila në saj të dashamirësisë së njerëzve që kisha rrotull dhe këmbënguljes sime, po bëhej realitet.
Ka aq shumë amerikanë që këndojnë. Pse një shqiptare duhet të fitojë lojën në tokën e tyre?
– Sepse ata janë të gjithë njësoj. Unë jam ndryshe, muzika ime, të kënduarit tim, folklori i vendit tim, shpirti im, ambicia ime është ndryshe, është shqiptare. Një origjinalitet ngaherë e kudo mirëpritet.
Ju jeni e mirëpritur në Amerikë?
Kam 4 vjet që jetoj atje. Pas kaq kohësh munda të arrij në pragun e ëndrrës amerikane për të qenë dikush. Tani për mua dera është e hapur. Puna është në do futem me këmbën e majtë, apo atë të djathtë.
Dhe ndërsa gjendeni në prag të ëndrrës befas ju e lini mënjanë për t’ju kthyer të shkuarës, Shqipërisë.
Shqipëria është vendi të cilit i përkas unë dhe gjithë ç’do mund të realizoj në jetë. Më është dukur këto kohë se isha gati profesionalisht të nisja koncertet në Europë dhe si pikënisje do të ishte vendi im. Situata përkohësisht nuk më duket e përshtatshme, pasi punët s’duken se po shkojnë mbarë, por mendoj se vështirësitë si në jetën e një njeriu dhe të një kombi janë pjesë e rimëkëmbjes. Unë nuk munda të jap këtu koncerte, por kjo s’do të thotë se s’do kthehem sërish.
Im shoq që është njëkohësisht dhe menaxheri im po lidhet me disa firma të huaja që do na mundësojnë shfaqjet në disa vende të Europës dhe unë mendoj se kënga popullore shqiptare e përpunuar, e moderuar, kënduar prej meje jo vetëm do të pëlqehet, por edhe do të duartrokitet në skenat e Europës që e kanë njohur dikur këtë këngë nga zëri i paharrueshëm i Vaçe Zelës dhe duhet të vazhdojnë ta njohin e ta dallojnë nga muzika e popujve të tjerë, pse vërtetë kënga jonë është ndryshe, është e bukur, është e mrekullueshme. Ajo është vetë fati dhe çelësi i suksesit për kë provon ta paraqesë në skenat e huaja dhe të pretendojë duartrokitje, lule dhe sukses.
Unë kam investuar shumë për të ardhmen time. Kam harxhuar gjithë ç’kam fituar për edukimin tim profesional e atë njerëzor. Tani kam gjithë mundësitë jo vetëm për ta paraqitur shkëlqyeshëm vetveten, por dhe vendin tim, folklorin tonë të jashtëzakonshëm./dritare.net

















