
Diçka e rëndë po përgatitet në Kosovë! Flet analisti Sadri Ramabaja!
Dritare.net
Analisti Sadri Ramabaja bëri një deklaratë të fortë i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv. Ai tha se situata e tensionuar në Kuvendin e Kosovës u bë nga njerëzit e Serbisë, që kërkojnë më të keqen për Albin Kurtin. Sipas analistit, diçka e rëndë po përgatitet në Kosovë, ndërsa i referohet ndonjë sulmi ndaj Kurtit.
Sadri Ramabaja: Një klasë oligokratësh e ngritur në pushtet ka privatizuar gjithë Kosovën. Dhe me funksionalizimin e shtetit të së drejtës ata ia kanë frikën se mund të jenë objekt trajtimi i shtetit të së drejtës. Ndaj po veprojnë me nxitim që sa më shpejt ta rrëzojnë qeverinë Kurti 2. Nuk ka mënyrë tjetër përveç krijimit të skenave të kësaj natyre, si ajo që pamë sot në Kuvend dhe mundësisht edhe ndonjë akti edhe më të rëndë.
Rudina Xhunga: Sot ishte preludi i një akti më të rëndë në Kuvend. Mendoni se është duke u përgatitur diçka më e madhe?
Sadri Ramabaja: Kam dilema serioze se po përgatitet diçka shumë e madhe që prej kohës që kur dështoi fillimi i një blitzkreig (sulm me armë) dhjetorin e kaluar në veri të Kosovës. Këtë e dëshironte me çdo kusht Beogradi. Ndërkaq, tashmë pas tërheqjes së Shqipërisë nga projekti Ballkani i Hapur, shpresat e Beogradit se do të mund të stopojnë integrimin brenda shqiptarëve, ecjen përpara të procesit të faktorizimit të kombit shqiptar, janë zvogëluar. Atëherë ata duan që t’i keqpërdorin deri në ekstrem filialet e veta që kanë të instaluara në Kosovë kaherë. Nuk do të harrojmë që këtu për 37 vjet kanë funksionuar shërbimet e Vuçiçit, qoftë te ushtrisë, qofte të shërbimit civil etj.
Rudina Xhunga: Çfarë keni parasysh kur thoni më të rëndë? Duan të vrasin Albin Kurtin?
Sadri Ramabaja: Forcat e errëta nuk shohin mundësi të tjera. Kjo që ngjau sot i ngjan shumë aktit të kthimit të Ahmet Zogut me 5,000 ushtarët serbë në dhjetor të vitit 1944 në Tiranë dhe përmbysjen e demokracisë më të fuqishme që kishte atëkohë Evropa Juglindore me në krye kryeministrin Fan Nolin. Në pamundësi për të sjellë forcat ushtarake nga Beogradi, ata kanë aktivizuar këtë llum të politikës sonë të brendshme dhe një pjesë të mediave që po i kryejnë Serbisë shërbime të jashtëzakonshme. Por nuk do ta kenë të lehtë për ta rrëzuar. Në dallim nga qeveria e Nolit që kishte nëpër këmbë klasën e bejlerëve dhe njerëz lehtësisht të shitur, Kurti është një tip strategu më specifik, që do ta përkufizoja si një mendje politike që ka marrë shumëçka nga Ukshin Hoti dhe nga Arbën Xhaferi dhe ka krijuar një strukturë të fuqishme politike që ka mbështetjen e fuqishme popullore. Jam i bindur se do të dalë fitues edhe ndaj Beogradit edhe ndaj falangave të tij të vetëdijshme apo të pavetëdijshme që po i kryejnë Beogradit./K.C/dritare.net

















