Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zjarret në vend, 227 forca dhe 16 mjete në terren! Tre helikopterë dhe një avion në operacionet zjarrfikëse!

1786183962_zjarritnemallakadter.png

Të paktën 227 forca operacionale, 16 mjete zjarrfikëse e mbështetëse dhe 4 mjete ajrore, 3 helikopterë dhe një avion Air Tractor, janë angazhuar në operacionet kundër zjarreve në vend, sipas përditësimit të Mbrojtjes Civile në orën 17:00.

Në Dajt, pranë një fabrikë uji janë rishfaqur disa vatra gjatë mesditës dhe vijon ndërhyrja dhe monitorimi, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Cikallesh të Kavajës, zjarri ka rënë ndjeshëm në intensitet dhe po shkon drejt shuarjes së plotë, ndërsa në Priskë të Madhe vijon puna për kontrollin e disa vatrave të vogla, me 6 automjete zjarrfikëse, një autobot uji dhe 25 efektivë.

Zjarri në Panahor-Ndrenie-Vlosht të Mallakastrës është nën kontroll, ku janë angazhuar forca të MZSH-së, Policisë Bashkiake dhe Forcave të Armatosura, si dhe një helikopter dhe një avion Air Tractor, pa rrezik për zonat e banuara.

Edhe vatra në Koilac-Greshicë është nën kontroll, ku vijon puna me 3 mjete zjarrfikëse, 20 efektivë të MZSH-së dhe 25 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.

Në Abazë të Krujës situata është stabilizuar dhe kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla në terren të vështirë, ndërsa në Vilëz të Kurbinit zjarri mbetet aktiv. Rreth 50 forca janë angazhuar atje, ndërsa ndërhyrja nga ajri me 2 helikopterë ka ndaluar avancimin e flakëve dhe ka shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.