Çfarë mbajnë infermierët gjithmonë në shtëpi!
Dritare.net

Të shohësh fshehurazi brenda dollapit të ilaçeve të dikujt nuk është aspak e hijshme. Por kur vetë infermierët tregojnë se cilat produkte nuk u mungojnë kurrë në shtëpi, përgjigjet bëhen interesante.
“The Washington Post” ka pyetur disa infermierë dhe profesionistë të kujdesit shëndetësor se cilat janë produktet që mbajnë gjithmonë në shtëpi dhe tek të cilat drejtohen për shqetësimet e zakonshme shëndetësore.
Në listën e tyre gjenden produkte shumë të zakonshme, disa prej të cilave mund të jenë tashmë në shtëpitë e shumë njerëzve.
Fedline Lysius, infermiere klinike, thotë se mban një jastëk ngrohës, të cilin e përdor për tensionin muskulor, ngërçet, dhimbjen e shpinës dhe ngurtësimin që lidhet me stresin. Ajo përdor gjithashtu rula me vajra aromatikë për të lehtësuar dhimbjet e kokës nga tensioni dhe për t’u çlodhur, si edhe një top antistres për të çliruar tensionin nervor.
Jessica Wise, infermiere e licencuar, veçon xhelin për djegie dhe solucionin fiziologjik për pastrimin e plagëve, të cilin e konsideron një mënyrë më pak të dhimbshme për të shpëlarë dëmtimet e vogla. Në shtëpi ajo mban edhe një pajisje kundër mbytjes, e projektuar për të larguar objekte të huaja që bllokojnë rrugët e frymëmarrjes.
Lista e Jennifer Armendariz, infermiere është më e gjatë. Ajo përmend një preparat homeopatik që e përdor me shfaqjen e simptomave të ftohjes, një ilaç kundër migrenës, magnez glicinat për gjumin, pomadë me arnikë për mavijosjet, xhel aloe vera, si edhe produkte që aplikohen në lëkurë për lehtësimin e përkohshëm të dhimbjeve muskulore.
Ndërsa Zac Shepherd, infermier udhëtues në kujdesin intensiv, nuk i ndan elektrolitet. Ai i përdor gjatë udhëtimeve, në vapë, pas aktivitetit të fortë fizik, gjatë shqetësimeve të stomakut ose në raste dehidratimi. Në shtëpi mban gjithashtu vazelinë, ibuprofen dhe aparat për matjen e tensionit. Sipas tij, matja e tensionit mund të ndihmojë për të kuptuar se çfarë duhet bërë më tej kur dikush nuk ndihet mirë.
Hanna Weitzman-Flanigan, zgjedh produkte edhe më të zakonshme: paracetamol, alkool për fërkim dhe leukoplaste. Për pickimet e insekteve, skuqjet apo irritimet e papritura të lëkurës ajo mban një krem antihistaminik, ndërsa në dollapin e saj nuk mungon as Vicks VapoRub, të cilin e përshkruan si “gjysmë ilaç, gjysmë nostalgji”.
Në tërësi, përgjigjet e infermierëve tregojnë se dollapi i tyre i shtëpisë nuk përmban vetëm ilaçe. Aty gjenden edhe mjete të thjeshta për plagët, djegiet, dhimbjet, dehidratimin, alergjitë, tensionin dhe situatat e ndihmës së parë./ The Washington Post