Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Von der Leyen nis turin ballkanik nga Tirana, në fokus integrimi i vendeve të rajonit në BE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbërrin sot në Tiranë, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria shënon ndalesën e parë të vizitës.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Von der Leyen do të zhvillojë takime me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Në përfundim të takimit me kryeministrin Rama, në orën 17:30, pritet të mbahet edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.

Vizita e presidentes së Komisionit Evropian do të vijojë më 1 tetor në Kosovë, ku do të takohet me presidenten në detyrë Albulena Haxhiu dhe kryeministrin Albin Kurti. Po atë ditë, Von der Leyen do të udhëtojë drejt Malit të Zi, ku në axhendë janë takimet me presidentin Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić.

Turi do të përmbyllet të premten në Maqedoninë e Veriut, me takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.

Një udhërrëfyes i ri për procesin e anëtarësimit

Në qendër të vizitës pritet të jetë edhe procesi i integrimit evropian. Von der Leyen vjen me një plan për një udhërrëfyes të posaçëm që synon të përcaktojë më qartë hapat e Shqipërisë, Malit të Zi, Moldavisë dhe Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Plani parashikon përcaktimin e reformave prioritare, afateve orientuese dhe objektivave për përfundimin e fazave të ndryshme të negociatave. Në të njëjtën kohë, edhe vendet anëtare të BE-së do të kenë angazhime për të avancuar procesin.

Vendimet kryesore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian vijojnë të kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare.

Serbia dhe Bosnje-Hercegovina jashtë itinerarit

Në këtë tur, presidentja e Komisionit Evropian nuk do të vizitojë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Sipas njoftimit për vizitën, të dyja vendet janë lënë jashtë itinerarit për shkak të zgjedhjeve të ardhshme.

Vizita e Von der Leyen zhvillohet në një moment kur BE-ja po shqyrton edhe një model të integrimit gradual të vendeve kandidate, me synimin për t'i afruar ato me strukturat dhe politikat e Unionit përpara anëtarësimit të plotë.

Në fokus pritet të jenë edhe dy data të rëndësishme për politikën e zgjerimit. Më 6 tetor pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, ndërsa më 15 dhe 16 tetor liderët e Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë zgjerimin dhe reformat e brendshme të Unionit.

Vizita në Ballkan vjen kështu në një periudhë të rëndësishme për vendet kandidate, teksa Brukseli po diskuton mënyra të reja për përshpejtimin dhe strukturimin e procesit të integrimit evropian./L.F-dritare.net