Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Videoskandali me personazhet publike, çfarë mendojnë qytetarët

Videoskandali me personazhet publike, çfarë mendojnë

Publikimi i videove intime të disa personazheve publike ka ndezur debat edhe mes qytetarëve. Para mikrofonit të Dritare TV, shumica e tyre e dënojnë shpërndarjen e videove. Sipas tyre, jeta private e kujtdo duhet respektuar. Disa të tjerë thonë se edhe vetë personazhet publike duhet të jenë më të kujdesshme.

Për shumë prej qytetarëve që folën për Dritare TV, fajtori kryesor është ai që i nxori videot në publik. "Ai që i publikoi, natyrisht, jo ai që i filmoi. Filmimi mund të jetë bërë me dëshirën e tyre ose jo. Por nuk është e drejta e tjetrit të paraqesë atë që është imja", tha një qytetar. Ai e krahasoi me një shkrim apo poezi personale: "Do ta paraqes kur unë e dua. Jo të ma marrë dikush dhe ta paraqesë."

Edhe të tjerë ishin po aq të prerë. "Absolutisht jo. Turp të ketë", u shprehën disa kalimtarë. Një tjetër tha se videot private "janë jetë intime e njerëzve".

Një grup pensionistësh tha se i trishton kjo situatë. "Ne jemi pensionistë, jemi rehat, por na vjen shumë keq. Nuk e hapim dot telefonin nga këto budallallëqe", thanë ata. Sipas tyre, vëmendja duhet të jetë te problemet reale: "Fokusi duhet të jetë te ekonomia, te mirëqenia e njerëzve. Duhet të ecim përpara, jo mbrapa."

Disa qytetarë ngritën pyetjen se kush përfiton nga publikimi. "Çdo gjë që bëhet, duhet parë interesi. Ku është interesi që u publikua?", pyeti një i moshuar.

Të tjerë mbajtën një qëndrim më kritik ndaj vetë personazheve të përfshirë. "Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm se çfarë bëjnë me veten e tyre. Kudo ka rregulla: në rrugë, në shkollë, në punë. Për mendimin tim, këto rregulla nuk janë respektuar", tha një qytetar. Ai shtoi se gjëra të tilla nuk bëhen në ambiente publike.

Shumë prej tyre u shqetësuan edhe për ndikimin te të rinjtë: "Nuk duhen publikuar. Kjo është metoda më e keqe për të edukuar të rinjtë. Disa gjëra mbahen të fshehta, jo gjithçka del në publik", tha një prej tyre. Ai i krahasoi artistët e sotëm me ata të dikurshëm, të cilët sipas tij ishin profesionistë dhe njerëz të shkrirë me masat.

Videoskandali vazhdon të mbetet tema më e diskutuar e ditëve të fundit. Shumica e qytetarëve që folën për Dritare TV janë të një mendjeje: jeta intime e kujtdo, qoftë edhe personazh publik, nuk duhet të bëhet spektakël./dritare.net