Videoskandali/ Avokatja: Viktimat duhet të bëjnë kallëzim, kodi ynë është shumë i butë për këto vepra
Dritare.net

Videoskandali që ka pushtuar rrjetet sociale ka tronditur jo vetëm opinionin publik, por edhe sallat e gjyqit. Këtë e tha avokatja Aurora Marku në emisionin "Intervista e Ditës" në Dritare TV. Sipas saj, kur videot nisën të qarkullonin, edhe seancat gjyqësore u ndalën për një moment, sepse të gjithë po i ndiqnin në WhatsApp.
"Ka qenë shokuese për gjithë opinionin publik, jo vetëm nga ana ligjore, por në radhë të parë nga ana njerëzore. Veprimi ynë, që i kemi shkëmbyer videot me njëri-tjetrin, është akoma më i shëmtuar", tha Marku.
Avokatja mbajti një qëndrim të ashpër ndaj kompozitorit Adrian Hila. Sipas saj, ai duhej t'i nënshtrohet menjëherë një testi psikologjik dhe psikiatrik dhe duhet të marrë dënimin e merituar. Megjithatë, ajo tha se ligji shqiptar është i butë për vepra të tilla: "Sipas kodit tonë, ai nuk merr ndonjë dënim të madh. Parashikimi është maksimumi tre vite. Kjo duhet ndryshuar, sepse vitet e fundit janë shtuar personat që filmojnë pa dijeninë e tjetrit dhe shantazhojnë."
Marku i quajti viktima, gratë që shfaqen në video. Ajo u bëri thirrje të dalin publikisht dhe të shkojnë në polici: "Duhet ta marrin guximin të bëjnë një kallëzim ndaj personit që i ka shpërndarë këto video. Në raste të tilla mund të kërkojnë edhe dëmshpërblim, sepse u është prishur imazhi."
Sipas saj, gjyqi publik që po u bëhet artisteve mund t'u kushtojë karrierën. "Ato janë zonja me karrierë shumëvjeçare dhe aty mund të përfundojë karriera e tyre", tha ajo. Avokatja vuri në dukje edhe se gratë po trajtohen më ashpër se burrat në këtë histori. Sipas saj, një burrë që shfaqet në një nga videot as nuk po përmendet.
Marku foli edhe për zërat se mund të ketë video të tjera, me përfshirje politikanësh. Ajo theksoi se këto janë vetëm thashetheme dhe uroi që të mos jenë të vërteta. Avokatja shprehu dyshimin se publikimi mund të ketë shërbyer për të larguar vëmendjen nga zhvillimet politike në vend. "Ka marrë më shumë vëmendje sesa duhej. Uroj të mos kenë dalë këto pamje për të zhvendosur vëmendjen nga protestat dhe zhvillimet politike", tha ajo.
Për shoqërinë shqiptare, ajo tha se kemi „fasadën më të bukur në botë", por realiteti është ndryshe. "Pas një tastiere bëhemi të gjithë të fortë dhe shfryjmë dufin për personazhe që s'i kemi takuar kurrë", tha Marku./K.C/dritare.net