Video/ Rama nxjerr karriget para Kryeministrisë, fton protestuesit në dialog. Ja si i përgjigjen ata!
Dritare.net

Pas shtatë ditësh protestash të dhunshme, përplasjesh me policinë dhe sulmesh ndaj institucioneve, kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog ndaj protestuesve.
Me një gjest simbolik, Rama ka dalë para Kryeministrisë dhe ka vendosur pankarta me mbishkrimin “DIALOG” mbi karriget e rreshtuara në formë rrethore, duke krijuar një hapësirë të hapur për diskutim.
Kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm të ulet në tryezë me këdo që kërkon dialog, pa kushte dhe në çdo vend e kohë. Megjithatë, ai theksoi se kjo ftesë nuk vlen për personat që ushtrojnë dhunë apo që nuk distancohen prej saj.
“Kush do dialog, pa kushte, ku të dojë, kur të dojë, edhe këtu po të dojë. Unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë. Të vetmit që nuk janë të mirëpritur janë ata që bëjnë dhunë dhe ata që nuk distancohen nga dhuna”, deklaroi Rama.
Por përgjigjja e protestuesve nuk ka vonuar. Në një letër të vendosur mbi njërën prej karrigeve, ata kanë shkruar mesazhin “S'ka dialog, jep dorëheqjen”, duke kërkuar largimin nga detyra të kreut të qeverisë./K.C/dritare.net