Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vera Mjeku, shembulli i një gruaje të suksesshme shqiptare

Vera Mjeku, shembulli i një gruaje të suksesshme shqiptare
Nga Kozeta Turishta

Vera Mjeku, një emër i njohur në Diasporën Shqiptaro –Amerikane,  për sukseset ndër vite të projekteve të ndryshme që ka realizuar, duke promovuar dhe mbështetur artistikisht dhe më gjerë, shqiptarët që jetojnë në USA.

Vetëm disa ditë më parë të gjithë shqiptarët u  ndjenë krenarë për një shqiptar që fitoi një betejë aspak të lehtë politike ndaj një rivaleje të fortë, e cila  synonte të ishte fitimtare në këtë garë.

Por ishte  Mark Gjonaj, shqiptari që ia doli të sigurojë vendin e tij përmes votave në Këshillin e Bashkisë së Nju -Jorkut.

Pas sukseseve të tilla, gjithmonë nga pas, thonë se  qëndron një grua.  Dhe është në fakt një grua. Një zonjë elegante, sharmante që të imponon respekt dhe përcjell pozitivitet e qetësi, e cila drejtoi për muaj e muaj, një  punë intensive me fuqi e përkushtim.

Ajo është Vera Mjeku, Zv. Drejtuese e "New Yorkers for Mark Gjonaj".

Një punë kolosale e takime të pafundme me banorët e distriktit 13 e mijëra qytetarë të tjerë shqiptarë, por dhe të huaj që besuan në programin dhe seriozitetin e kësaj nisme politike të stafit të z. Gjonaj.

Misioni i znj. Mjeku mbaroi ashtu siç asaj i kishte hije në fund të një udhëtimi të gjatë, kthehesh me një kupë fitoreje si një shpërblim për punën e të gjithëve që punuan fort dhe siç e thotë dhe vetë Mjeku: “Ka qenë një rrugëtim interesant, por edhe një sfidë profesionale të cilës ia dolëm”.

Znj. Mjeku njihet për kontributin e saj që jep nder vite nga Organizata e saj " Albanian-American Success Story" që për qellim ka promovimin e talenteve e talenteve shqiptare anembanë botës, që shkëlqejnë në profilet e tyre profesionale. Kjo Organizatë e themeluar prej disa vitesh, ka bërë të mundur të bëj bashkë elitën e personaliteteve botërore duke i nderuar dhe me çmime, gjë e cila ka pasuruar më shumë emrin e Shqipërisë por dhe vlerave e traditave tona duke i dëshmuar amerikaneve e të gjithë të huajve të tjerë, që shqiptaret janë një komb që artin e kanë në gjak.

Një grua shqiptare e suksesshme që ka arritur të bashkëpunojë me partnere dhe emra të mëdhenj kompanish si; Wittenour International, Chevron Shcwab, CBS Video, Fow 5 Tv e shumë të tjera.

Dashuria,  e kontributi që ka dhënë për komunitetin e saj është i pamatshëm. Ishte Gushti i 2013-ës ku Vera, do nderohej me çmim nga Organizata shqiptaro amerikane Kombëtare e Grave dhe të Gruas së vitit po nga kjo Organizatë, meritë që i takonte, për shërbimin dhe punët e mëdha që mbajnë emrin e saj.

Gjithashtu si pjesë e "Media Group Albania" Kompania e njohur në Nju Jork në fushën e marketingut, dhe marrëdhënieve me publikun e themeluar në vitin 1999 që ka shërbyer si një zë i fuqishëm për komunitetin shqiptar gjatë periudhës së luftës në Kosovë, prej së cilës shqiptaro-amerikanët e kishin si një mundësi komunikimi për t'i treguar botës atë që po ndodhte në rajon.

Gjithmonë e buzëqeshur me një bukuri karakteristike të gruas, që sfidat di t'i kthejë në punë dhe suksese.

Vera Mjeku është diplomuar në Universitetin e Nju-Jorkut, dhe mban në supe mbi 20 vite eksperiencë në fushën e marketingut, komunikimit, dhe medias.

E lindur dhe e arsimuar në Tiranë, ku është diplomuar gjithashtu në Universitetin e Tiranës.

Është e martuar me z. Ismer Mjeku nga Prishtina, Kosovë jetojnë në Westchester County NY dhe kanë dy fëmijë. Vajzën Rina 17 vjeç dhe djalin Kroi 14 vjeç.

Veç përkushtimit të tyre për të kontribuuar në komunitet dhe karrierës  profesionale, familja Mjeku krenohet të tregojë rrënjët e tyre dhe origjinën shqiptare, kudo shkojnë  dhe çfarëdo bëjnë. Dhe ia kanë dalë. Ia kanë dalë të njihen kudo, si shqiptarët e mrekullueshëm/Dritare.net

Dritare.net- Vera, si është të menaxhosh fushatën e z.Mark Gjonaj?

Vera Mjeku- Ka qenë një rrugëtim interesant dhe një sfidë profesionale, në një fushate jo shumë të zakonshme, por me një kandidat të përkushtuar në maksimum që beson në ato që bën dhe arrin t’ia dali. Kam punuar me Gjonaj gjatë viteve të fundit dhe besoj në vizionin dhe platformën e tij për të bashkëpunuar me shumë, për përfshirje dhe integrim të shqiptaro-amerikane në politikën amerikane në të gjitha nivelet, për të krijuar një rrjet dhe për përfshirjen e grave dhe vajzave shqiptaro-amerikane në politikë, këto kanë qenë frymëzim për mua personalisht.

Dritare.net- Çfarë mësuat nga kjo sfidë dhe sa ndryshon nga projektet që keni menaxhuar më parë?

Më tërheqin sfidat dhe e panjohura, pasi fusha ku jam specializuar gjen vend në të gjitha industritë, përfshirë dhe politikën. Por, kjo eksperiencë ka qenë shumë më ndryshe se sa drejtimi i projektit ‘Histori Shqiptaro-Amerikane te Suksesit’, një projekt tepër interesant me personazhe frymëzuese nga gazetarë, politikanë, fitues të çmimit Nobel, ushtarake, diplomate etj. Unë besoj që potenciali që kemi, nuk duhet vetëm të duartrokitet, por më e rëndësishmja të bëhet shembull për më të rinjtë dhe prandaj kemi besuar që ky projekt do të jetë jetëgjatë.

Dritare.net- E konsideroni si një garë dhe zgjedhje të vështira? 

Në fushata zgjedhore dëshira për t’ia dalë është pjesa më e vogël, ajo që askush nuk e sheh është puna marramendëse nga kandidati. Si Gjonaj, me një etikë pune të jashtëzakonshme, ku punohet deri në 18 orë në ditë. Me një ekip profesionistësh, nga konsulentët politikë, specialistë të komunikimit, specialistë për mbledhje fondesh, specialistë të dizajnit dhe të përpunimit të mesazhit dhe anës vizuale, njohës  të dhënave demografike dhe shumë të tjera.

Dritare.net- Gjatë kësaj fushate me elektoratin tuaj të huaj, a kanë mësuar ata më shumë për Shqipërinë?

Po, sepse në politikën amerikane të New Yorkut, Asamblisti Mark Gjonaj konsiderohet, si politikani shqiptaro-amerikan, i cili me shume krenari për origjinën e tij, po krijon një stereotip të ri të një politikani ndryshe. Që nga mënyra e komunikimit me distriktin te cilin përfaqëson, aftësia për të qenë i gatshëm për çdo problem, natyrshmëria e lidhjes me njerëzit, etj.

Kjo frymë e ka karakterizuar dhe këtë fushatë, amerikanët kanë njohur më shumë mbi tiparet e shqiptarëve e cilësitë e tyre.

Dritare.net- Besoni se fitorja do të jetë me ju? 

Një sfidë tjetër na pret në 7 nëntor me zgjedhjet e përgjithshme dhe besoj se do t’ia dalim.

Është një proces interesant ku shqiptarët dhe të tjerë, duhet të kuptojnë se duhet të jemi më proaktiv dhe më shumë të përfshirë. Demokracia dhe integrimi funksionojnë, nëse jemi pjesëtarë të proceseve dhe jo vetëm observues. Një thënie e vjetër amerikane thotë ‘nëse ëndrrat e tua nuk të trembin, atëherë ato nuk janë aq të mëdha’, prandaj të ëndërrosh nuk mjafton, nëse nuk punon t'i realizosh./Dritare.net