Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria firmos marrëveshje 6 miliardë dollarë për gazin me SHBA dhe Greqinë

Shqipëria firmos marrëveshje 6 miliardë dollarë për

Shqipëria është bërë pjesë e një projekti ndërkombëtar në fushën e energjisë, përmes një marrëveshjeje strategjike me partnerë nga SHBA dhe Greqia. Marrëveshja, me vlerë rreth 6 miliardë dollarë, u nënshkrua mes ALBGAZ, Venture Global dhe Aktor LNG.

Projekti parashikon një kontratë 20-vjeçare për furnizimin e Europës jugore me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA. Një nga komponentët kryesorë është ndërtimi i infrastrukturës në Vlorë, ku gazi do të mbërrijë me anije dhe do t’i nënshtrohet procesit të rigazifikimit për t’u futur në rrjet.

Qeveria shqiptare synon gjithashtu të rivitalizojë qendrën energjetike të Vlorës, duke përfshirë transformimin e termocentralit ekzistues dhe shtimin e kapaciteteve të reja prodhuese prej rreth 250 MW. Projekti përfshin edhe ndërtimin e gazsjellësit Fier–Vlorë, që do të lidhë zonën me rrjetin kombëtar dhe rajonal.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se synimi është që Shqipëria të kthehet në eksportuese neto e energjisë brenda këtij mandati, duke e cilësuar projektin si kyç për sigurinë dhe pavarësinë energjetike të vendit.

"Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Evropën juglindore. Theksoj rëndësinë e asaj që tha ambasadorja Guilfoyle, për nevojën tonë, të Greqisë dhe të Shqipërisë, për të forcuar lidhjen dhe bashkëpunimin në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit, rezistencës dhe pavarësisë. Partneriteti i Shqipërisë dhe SHBA përçon një mesazh: edhe vendet e vogla mund të marrin hapa të guximshëm dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes së sfidave më të ngutshme të kohëve tona".

Ndërkohë, ambasadorja amerikane në Athinë, Kimberly Guilfoyle, theksoi se marrëveshja forcon sigurinë energjetike dhe kombëtare në rajon, duke e lidhur atë me politikën energjetike të Donald Trump.

“Ky ndërveprim forcon sigurinë energjetike dhe kombëtare. Në sektorin energjitik, siguria dhe ekonomia shkojnë krah për krah. Presidenti Trump ka qenë kampion i zjarrtë i sigurisë energjetike. Administrata Trump e ka ngritur si një shtyllë në mbarë botën. Ndërsa flasim për fuqi rajonale, dua të pranoj rëndësinë e lidhjeve të forta Shqipëri-Greqi. Janë më shumë se fqinje të afërta dhe bashkëpunimi ekonomik. Kur SHBA-të, Shqipëria dhe Greqa punojnë së bashku, i gjithë rajoni përfiton”.

Ky projekt pritet ta pozicionojë Shqipërinë si një nyje strategjike energjetike në Ballkanin Perëndimor, duke rritur rolin e saj në tregjet rajonale të energjisë./L.F-dritare.net