
Akademik Rexhep Qosja, jo vetëm me veprën e tij shumëplanëshe shkrimore, por edhe me qëndrimin parimor intelektual, në kohë të vështira e dramatike të historisë, në rrafshin e determinimit të individit me kapacitete të jashtëzakonshme kreative e profesionale, përbën po ashtu një fenomen për mendimin shqiptar. Ky korpus shkrimor dhe e gjithë veprimtaria intelektuale e profesionale e kanë shndërruar autorin dhe kreatorin e tyre në një institucion të rëndësishëm kombëtar.
Nga Hysen Matoshi
“Edhe njerëzit e mirë duhet të vdesin, por vdekja nuk mund t’i vrasë emrat e tyre”. Në këto ditë dhembjeje e pikëllimi, kur vdekja fizikisht e mori prej nesh profesorin, dijetarin, albanologun, filozofin, ideologun, romancierin, dramaturgun, kritikun letrar, historianin, publicistin, ditaristin, eseistin, polemistin, intelektualin jokonformist, veprimtarin e çështjes kombëtare, mbi të gjitha njeriun e një soji të veçantë, akademikun Rexhep Qosja, më duket tejet domethënës parafrazimi i kësaj sentence daneze. Kjo vetëdije e bën relative vdekjen dhe gjithsesi më lehtë të përballueshme. Ka vdekur autori, por jo vepra e tij, jo trashëgimia e tij shumëplanëshe që përbën njërin ndër thesaret tanë më të çmuar kombëtarë. Ajo na përket të gjithëve, ajo, në mënyrë të veçantë, u përket brezave të pafundmë të shqiptarëve si një shenjë orientuese e shtegtimit më të sigurt në ardhmëni.
Janë më se 50 vepra shkrimore dhe më se 20 mijë faqe të shkruara e të botuara, madje një pjesë e konsiderueshme e tyre edhe të përkthyera në gjuhë të tjera, që e bëjnë Akademik Rexhep Qosjen një autor të patëdytë në historinë dhe në kulturën shqiptare. Megjithatë, kjo shtrirje impozante vëllimore nuk është esenca e punës ngulmuese e të vazhdueshme tërëjetësore, nuk është ajo që e shquan si njërin ndër personalitetet më të dalluara në kulturën dhe në historinë e përgjithshme shqiptare. Në rend të parë, karakterizuese janë vlerat e tij të verifikueshme shkencore, idetë dhe pikëpamjet e tij që, në të shumtën, janë dëshmuar si paravajtëse sa u përket zhvillimeve historike nëpër të cilat kaluan shqiptarët, pastaj është krijimtaria letrare, me nuancimet e saja tematike, kompozicionale e stilistike, e vlerësuar gjithandej për risimtarinë si shprehje e unitetit ndërmjet fiksionit dhe erudicionit, ndërmjet imagjinatës dhe dijes.
Veprat e këtilla, origjinale dhe të papërsëritshme, si manifestim i vetëdijes së lirë autoriale, unike si krijimtari e gjithmbarshme, që kanë një lidhshmëri organike përmbajtjesore e strukturore, si vlera të kreativitetit shpirtëror e të racionalitetit mendor, e përbëjnë një fenomen kulturor.
Akademik Rexhep Qosja, jo vetëm me veprën e tij shumëplanëshe shkrimore, por edhe me qëndrimin parimor intelektual, në kohë të vështira e dramatike të historisë, në rrafshin e determinimit të individit me kapacitete të jashtëzakonshme kreative e profesionale, përbën po ashtu një fenomen për mendimin shqiptar. Ky korpus shkrimor dhe e gjithë veprimtaria intelektuale e profesionale e ka në shndërruar autorin dhe kreatorin e tyre në një institucion të rëndësishëm kombëtar. Njëra ndër shenjat e origjinalitetit të Rexhep Qosjes shtrihet në letërsinë që krijoi ai. Prozat dhe dramat e tij përbëjnë një kthesë të guximshme dhe të ndjeshme kundruall traditës sonë letrare, ndërsa krijimtarinë e tij letrare nuk e bën të identifikueshme tematika e saj në përmasën që e bën vetë mënyra se si është shkruar ajo, përkatësisht të tillë e bën koherenca e padiskutueshme stilistike, që mban vulën e një universi të pashëmbëllyeshëm krijues në kontekstin shqiptar. Përveçse nuk ndjek, në mënyrë të veçantë, ndonjë model nga proza pararendëse shqipe, lirisht mund të thuhet se vepra e tij letrare mbetet në masë të madhe e paimitueshme, e paasimilueshme nga autorë të tjerë, rrjedhimisht deri sot pa trashëgimtarë të mirëfilltë.
Një fushë tjetër me rëndësi e veprimtarisë intelektuale e profesionale të Rexhep Qosjes ka të bëjë me studimet tona letrare. Për punën e tij shkencore janë thënë fjalë të mëdha. Puna dhe rezultatet e tij janë krahasuar me rezultatet e institucioneve albanologjike. Pa u ndalur në përmendjen e të gjitha veprave që e trajtojnë letërsinë shqipe, konsideroj se sintezat e mëdha studimore, sikurse janë historia trevëllimëshe e romantizmit shqiptar, monografitë “Porosia e madhe, Asdreni – jeta dhe vepra”, pastaj veprat “Prej tipologjisë deri te periodizimi” dhe “Tri mënyra të shkrimit shqip” janë kontribute monumentale dhënë studimit të letërsisë shqipe. Përveçse ka shtruar, nëpërmjet tyre, çështje të rëndësishme për letërsinë shqipe dhe, në të shumtën, ka ofruar përgjigje të qëndrueshme e të argumentuara shkencërisht, lirisht mund të pohohet se akademik Rexhep Qosja, me veprën e tij të gjithmbarshme studimore, është shndërruar në një shkollë studimesh albanologjike. Në rast se do t’i ndiqte modelet ekzistuese të studimit të letërsisë shqipe, që mbështeteshin në doktrinën e realizmit socialist, sot vështirë se do të mbahej mend, qoftë si historian, qoftë si kritik letrar. Duke ndjekur rrugën e vështirë të moskonformimit me dogmën letrare, përkatësisht rrugën e bërjes së rrugës së re, ai që herët ka nxjerrë përfundime në të cilat shumë bashkëkohës të tij do të vinin vetëm dekada më vonë. Jokonformizmi nuk nënkupton vetëm qëndrimin apriori kundër, nga se një gjë e tillë çon në rrezikun e kundërvënies skematike. I vetëdijshëm për këtë, gjatë dekadave të punës së tij intelektuale, Akademik Rexhep Qosja e ka kultivuar vetëdijen kritike si vlerë që i shquan kombet e qytetëruara. Nuk ka reshtur asnjëherë t’i shprehë mendimet dhe vlerësimet mbi aktualitetin, mbi historinë, t’i mbrojë qëndrimet e tij dhe të polemizojë për to. E ka bërë këtë në kontekstin shqiptar, por edhe në kontekste më të gjera ku janë diskutuar e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e kombit të tij.
Në shumicën dërrmuese të shkrimeve publicistike ka angazhuar tërë qenien intelektuale e morale në mbrojtje të çështjes shqiptare, duke publikuar monografi, analiza, komente, reagime, intervista etj. Në këtë pikëpamje liria përbënte esencën unifikuese të mendimit dhe të veprimit të tij, kryesisht të konceptuar si angazhim për jetësimin e lirisë së munguar të kombit shqiptar dhe të lirisë së mendimit si kusht për të krijuar një shoqëri humane dhe të përparuar gjithnjë mbi vlerat e njohura të demokracisë.
Kultura jonë – e përfaqësuar në një format unik shkrimi të njërës ndër figurat më emblematike të botës bashkëkohore shqiptare dhe e definuar si fenomen risimtar – ka gjetur në veprën dhe veprimtarinë e Rexhep Qosjes një shenjë të qartë të identitetit tonë kulturor, një autor që e ka transformuar rrënjësisht vetëdijen tradicionale, anakronike, mitike, folklorizuese, glorifikuese, himnizuese, epigonike, ideologjizuese, akademizuese drejt një vetëdijeje kritike e moderne si treguese e pjekurisë mendimore dhe kulturore shqiptare. Vepra shkrimore e Rexhep Qosjes është një trashëgimi monumentale që e shndërron autorin e saj në një dukuri specifike dhe orientuese për rrjedhat e zhvillimit të dijes, të kulturës dhe të mendimit shqiptar. Akademik Rexhep Qosja, si fenomen i papërsëritshëm kulturor e shoqëror, u takon njësoj të tri kohëve: të kaluarës si historian, e sidomos si historian i letërsisë, si autor që veprën e tij shkencore e bazon në faktografi e në argumente e gjithnjë duke i shpalosur, interpretuar dhe konstatuar aspektet më të dallueshme historike të identitetit shqiptar; ndërkohë që i takon bashkëkohësisë si krijues aktiv i vlerave të rëndësishme kulturore e diturore, por edhe si dëshmitar, si kritik dhe si vëzhgues objektiv i fenomeneve e zhvillimeve në jetën tonë shoqërore, politike, kulturore, shkencore etj, dhe gjithsesi me trashëgiminë e tij shkrimore do t’i takojë edhe të ardhmes si vizionar, si ideolog, në krye të herës, i përqendruar tek e nesërmja e shqiptarëve, te përbashkësia funksionale e kombit, së cilës ia përkushtoi tërë jetën e tij.
Vdekja e Akademik Rexhep Qosjes është një humbje e pakompensuesh me dhe shumëplanëshe: familja mbetet pa anëtarin e saj të dashur, Instituti Albanologjik pa vlerën identitare e më emblematike të tij, albanologjia pa themelvënësin e studimeve moderne shqiptare, jeta jonë shoqërore pa njërën ndër trajtat më të shprehura të mendimit objektiv e kritik të artikuluar në kohën dhe në mënyrën e duhur, shqiptarët kudo ndodhen, e veçmas ata të Kosovës Lindore dhe të Malit të Zi, mbeten pa zëdhënësin e përhershëm e të patundur të të drejtave të tyre legjitime të mishëruara në idenë e bashkimit kombëtar, ndërsa e ardhmja e shqiptarëve në Ballkan mbetet pa mendjen më vizionare të kombit to në. Megjithatë, nëse do ta kërkoj më, Profesorin do ta gjejmë në atë që është e pavdekshme dhe e patretshme, në veprat e tij, e gjithashtu edhe në kujtimet e paharrueshme e mbresëlënëse nga takimet dhe bisedat me të. Këtë fjalë do ta përfundoj duke cituar një fjali të vetme nga “Ditari” i tij: “Se kush ishte njeriu gjatë jetës më së qarti shihet ditën e vdekjes së tij”. Në ditën e vdekjes së tij, ndër shqiptarët gjithandej pamë shumë dhembje dhe lexuam shumë vlerësime për Profesorin. Mbase më shumë se sa për të janë thënë gjatë gjithë jetës së tij. Ky fakt nuk e bën krenar vetëm Institutin Albanologjik, ky fakt e nderon kulturën dhe historinë shqiptare. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Akademik Rexhep Qosjen, qoftë e paharrueshme vepra e tij.
Marrë nga Numri Special i Koha Ditore, kushtuar Rexhep Qosjes