Unë e pashë Grushtin e Shtetit në Turqi!

Nga Fjorda Llukmani

Shumicën e rasteve në dritare.net ndaj momentet më të bukura të udhëtimeve të mia. Kjo sepse më pëlqen të flas vetëm për gjëra pozitive se boll dëgjoni lajme e llafe lart e poshtë çdo ditë.

Sot dua të sjell historinë më të frikshme që më ka ndodhur ndonjëherë në udhëtime dhe mbase në jetë. E kam fjalën për Grushtin e Shtetit që ndodhi natën e 15 korrikut 2016 në Stamboll. Dhe po unë isha ndër personat që gjendesha aty, biles sapo arrita në qytet kur plasi lufta.

Disa prej jush e dinë që dikur punoja në Stamboll e marrëdhëniet e mia me Turqinë ishin jashtë mase të ngushta, aq sa shkoja atje thuajse një herë në muaj. Megjithatë e pashë qytetin tim të preferuar tek venitej me kalimin e kohës vetëm për shkak të terrorizmit. Më quajtën ‘macja e zezë e Turqisë’ sepse sa herë e vizitoja shpërthente ndonjë bombë, e më keq akoma Grushte Shteti. Bomba e parë ra në janar në sheshin “Sultan Ahmet” pranë xhamisë Blu.

Hoteli ku punoja ndodhej në Karakoy rreth 2 kilometra në vijë ajrore nga ngjarja. Dëgjuam një shpërthim, por s’na e mori mendja çfarë ishte. Më pas dëgjuam lajmet e shikonim helikopterë e ushtarë pafund për sigurinë e qytetarëve. E bukura është që një ditë para ngjarjes ndodhesha me një grup shqiptarësh prej 40 vetash fiks në të njëjtin vend ku plasi bomba. ‘Na paska rujt Zoti’- u them atyre kur u dërgoj lajmin.

Hera e dytë ndodhi diku në mars në bulevardin “Istikklal”, ndër pikat më të vizituara nga turistët. U tremb gjithë dynjaja në Shqipëri. Më shkruanin si isha e mos të shkoja më se pale ndodhte diçka tjetër. Nuk besoja që isha e mbinatyrshme, por jetoja me idenë se një ditë këto shpërthime do të marrin fund. Kujt ia priste mendja që hera e tretë do të ishte më e frikshmja nga të gjitha?

Nisemi me makinë për në Stamboll me disa miq të familjes sime. Unë do të qëndroja 2 muaj në Antalya për një projekt veror, e thashë po ndaloj në Stamboll disa ditë meqë e kam pikë në zemër. Ditë e premte, arrijmë në darkë rreth orës 10. Në hyrje të qytetit kishte shumë trafik, gjë që s’më bënte më përshtypje. ‘Moj Fjorda po pse qenka bllokuar kaq keq’-më pyesnin njerëzit në makinë. ‘Si ditë e premte është normale’-u thosha unë. ‘Më ka ndodhur të kem ngecur edhe 3 orë në trafikun e fundjavës. Ndërkohë që i ankohesha një shokut tim turk pasi prisnim 1 orë në rrugë ai më thotë: ‘Fjord dëgjova në lajme që janë mbyllur urat kryesore, e Bosforit dhe tjetra pas saj, nuk e di çfarë po ndodh…’ Oboboo më shkoi mendja direkt, sa erdha unë plasi bomba tjetër. S’doja të përhapja panik në makinë se kishim edhe fëmijë me vete e nuk thashë gjë.

Ne nuk kishim shumë internet në telefona për të parë lajmet, maksimumi Whatsapp-in, po kujt i shkonte mendja të shihte lajmet njëherë. Një moment merr mami im në telefon dhe miqve të mi u shkruajnë nga Shqipëria. ‘Ej ka plasur lufta në Stamboll ore ku jeni? A shihni gjë nga aty? Është emergjente fare situate në urën e Bosforit. Lëreni makinën e shkoni në hotelin më të afërt kështu thonë lajmet.”,-na flisnin në telefon.

Në të njëjtën kohë dhe shoku im nga Turqia më thoshte të njëjtën gjë. Ne ishim në mes të autostradës, as nuk kishim ku të hapnim krahun, asgjë. Na kapi frika, por deri në atë moment nuk kishim hyrë fiks në qytet për të parë rrëmuja e ç’ndodhte.

Një gabim i vogël me Google Maps mund të na kishte kushtuar shumë. Pa dashje adresën e hotelit e kishim vendosur gabim e makina po ecte rrugës për në Urën e Bosforit. Kur pashë dritat e urës nga larg u tremba. ‘Duhet të kthehemi urgjentisht.”,- i them atij që drejtonte makinën. “Jemi duke shkuar si cjapi te kasapi, ç’punë kemi tek ura ne, aty po ndodh gjithë ngjarja?”,- shyqyr u ftillova e devijuam. Gjatë kohës që ne ishim akoma nëpër rrugë zotëria Erdogan bën Facetime me qytetarët e u thotë të dalin në rrugë për të mbrojtur shtetin e tyre. Vetëm të shikoje njerëz pafund që dyndeshin për në Bosfor. Ora ishte rreth 12 e natës. Kishte policë gjithandej, me maska armë etj. Disa prej tyre na panë me targa shqiptare, ndaluan makinën e na këshillonin mos të endeshim rrugëve. Unë isha e bindur që hoteli ynë ndodhej afër prandaj do të shkonim atje me patjetër.

LEXO DHE :  Çmimi pak i kripur, por  ky fustani i Kate Middelton është zgjedhja e duhur për vjeshtën!

Gjatë kësaj kohe dëgjonim avionë që bombardonin nga ajri në urën e Bosforit. Ishte luftë e mirëfilltë moderne. Në rrugë njerëzit na ndalonin për t’na pyetur nëse kishim vend për ta në makinë, sepse transporti publik nuk punonte. Disa prej tyre ulërinin me flamuj e parulla nëpër duar. Ia dolëm të arrinim në hotel pa e ditur se ajo do të ishte nata më e gjatë e jetës time. Nga dritarja e hotelit Urën e Bosforit e kishim përballë e shikonim çdo gjë. Punonjësit na këshilluan mos të qëndrojmë në dritare se nuk i dihej. Televizori hapur, ndiqnim lajmet e sa vjen situata bëhej më e keqe. Tentuam gjoja të telefononim Ambasadën Shqiptare për ta pyetur për ndihmë në raste të tilla, por askush s’u përgjigj.

Dëgjonim vetëm zhurma të ndryshme që s’ia kishim idenë çfarë ishin. Kur Erdogani po bërtiste në aeroportin ‘Ataturk’, disa avionë të fuqishëm ushtarakë kalonin mbi qytet e bënin një zhurmë që të rrëqethte mishin. Nuk  i shikonim dot sepse ishin super të shpejtë. Thoshin që u nisën nga Ankaraja për në Stamboll dhe arritën aty për 5 minuta, aq të shpejtë janë. Këta lloj avionësh kalonin mbi qytet për të trembur njerëzit e shpërndarë turmat. E ku kishte gjumë atë natë. Edhe pulëbardhat fluturonin e bënin zhurmë nga frika.

Avionët e fundit e zhurmat bombarduese pushuan rreth orës 5 të mëngjesit e mezi na zuri gjumi. Ia dolëm të flinim pak, sepse s’dinim ç’bëhej të nesërmen. Qeveria ndërkohë lajmëroi që situata qe në kontroll, por prapë duhej patur kujdes.

Dola në mëngjes për të pirë çaj e çdo gjë ishte mbyllur. Askush nëpër rrugë përveç ndonjë turisti të humbur dhe policëve që ruanin. Hera e parë që shikoja Stambollin aq qetë, por një qetësi vrastare. Pikat kryesore turistike u mbyllën ndërsa metrotë dhe transporti publik ishte falas për gjithë muajin, këtë se kuptova kurrë pse.

Për dy ditë Stambolli iu kthye normalitetit, por kësaj here me një plagë të madhe të cilën pata fatin e keq e të mirë ta përjetoj vetë.

Them të keq sepse ndjesia ishte shumë e frikshme dhe të mirë që më bëri të vlerësoj jetën dyfish. Nga një anë thashë me vete shyqyr që jetojmë në Shqipëri e s’jemi rrezik për kombet e tjera që të na kthehen kështu. Por më vinte keq kur dëgjoja bilancin e viktimave. Ndërkohë që unë shikoja nga dritarja e hotelit Urën e Bosforit aty u vranë rreth 250 persona, disa prej të cilëve i shtynin për t’i hedhur nga ura. Ura e Bosforit mori emrin ‘Dëshmorët e 15 Korrikut’ dhe nga dritat shumëngjyrëshe u zëvendësua me ngjyrën e kuqe të flamurit dhe për gjakun e atyre që dhanë jetën për liri.

Që atëherë nuk bëj më eksperimente me jetën e kam frikë të provoj lojëra ose sporte ekstreme. Miqtë e mi tallen duke më thëne se ‘kur nuk vdiqa nga 2 bomba e një Grusht Shteti në Stamboll, d.m.th që do e kem jetën e gjatë’.

Askush nuk e kupton sa rëndësi ka paqja, deri në momentin që përjeton diçka të tillë. Në bombën e fundit një miku im turk vdiq padrejtësisht duke i dhënë makinës afër vendngjarjes. Kishim bërë plane pafund për verën e ardhshme. Prandaj jetës asnjëherë s’i dihet. Mund të kisha qenë unë apo dikush tjetër në vendin e tij. Thuaj faleminderit që je gjallë e për të gjitha ato që ke, mos kërko qiqra në hell.  Nga një shoqe e juaja që i kaloi jeta para syve…/dritare.net