Udhëtimi në Budapest, nuk quhet po nuk shkove te banjat termale!

Nga Fjorda Llukmani

Një udhëtim në Budapest nuk ka kuptim po nuk vizituat banjat termale. Në fakt kjo është arsyeja pse disa turistë shkojnë. Madje ndryshe e quajnë dhe qyteti i banjave termale. Që në kohën e romakëve, Perandorisë Osmane dhe asaj Austro-Hungareze njerëzit shkonin kryesisht për arsye kurative. Ujërat termale janë të pasura me minerale e thonë që shërojnë dhe sëmundje.


Në vizitën e parë në Budapest shkova te ‘Szechenyi Bath’ e cila mbahet si më e famshmja. Kësaj here iu futa kërkimit që të shkoja diku tjetër dhe më besoni ishte goxha e vështirë të zgjidhja. Për t’jua bërë sa më të lehtë zgjedhjen po ju përshkruaj eksperiencën time personale.

‘Szechenyi’ është si Times Square në New York, një pikë turistike që vizitohet nga të gjithë. Ka 15 pishina të brendshme dhe rreth 3 të mëdha jashtë. E veçanta e saj është që pishinat e jashtme janë shuuumë të ngrohta. Kur shkova unë ishte dhjetor pra dimër. Jashtë temperatura arrinte 5 gradë, ndërkohë brenda në ujë rreth 35-40 gradë. Avulli që formohej nga takimi i ujit me atmosferën të fiksonte fare. Vetëm nëse je me syze qorri si puna ime, nuk sheh dot gjë.


Në fundjavë tek ‘Szechenyi’ organizojnë party të lezetshme. Kështu më kanë thënë se nuk i kam provuar ndonjëherë. Unë u mjaftova duke shijuar një gotë birrë të cilën mund ta blini aty afër. Por, nuk lejohet që ta marrësh birrën me vete në krahun tjetër të pishinës, se gjoja mund ta derdhësh e bën pis. Duhet të qëndrosh buzë saj me gotën në dorë. Mirë është të merrni dhe peshqirë e shapka nga hoteli që mos të paguani lekë plus. Të gjithë kanë një raft personal ose një kabinë për të vendosur sendet personale.


Brenda gjenden pishina të vogla me ujëra të nxehta ose të ftohta. Pastaj dhoma të ndryshme me dushe orientale, avull, sauna e shumë të tjera që s’i kisha parë ndonjëherë. Pa frikë këtu shpenzon rreth 4 orë të mira. Patjetër ke dhe opsione për masazh apo trajtim trupi, por me pagesë shtesë. Hyrja brenda dhe jashtë kushton 6000 HUF ose 20 euro.

Ama këtu dua të bëj një shënim të rëndësishëm; nëse e vizitoni Budapestin gjatë verës, nuk mendoj që është ide e mirë të shkoni në ‘Szechenyi’. Sepse siç ju thashë uji jashtë është shumë i ngrohtë, plus vapa që të plas. Besoj do të bëheni ujë në djersë nëse qëndroni në pishinë të ngrohtë në një ditë tipike vere. Prandaj po ju sugjeroj diçka tjetër.

LEXO DHE :  Kryetari i KLP: SPAK nis punën në shtator me ҫështje të nxehta

Në kërkimet e mia të shumta në internet dhe forume të ndryshme ‘Gellert Bath’ cilësohej si më e vizituara pas ‘Sxechenyi’. Isha pak në dilemë se mos kishte shumë vizitorë, e përfundoj duke u larë pllaq-plluq me lloj-lloj tipash afër.

Gjithsesi dhe fotot e shumta që kam parë në Instagram janë bërë këtu, sepse është shumë piktoresk dhe me ngjyra.


Gellert është hotel i madh që pjesë të tijën ka edhe banjën termale. Pishinat e brendshme janë të mbuluara me qeramika prej ari deri në tavan.

Nuancat e blusë mbizotërojnë gjithandej. Një prej pishinave më kujtoi kohën e romakëve. Mbaj mend që kam parë një film ku Mark Antony relaksohej në banja termale që rrethoheshin me kolona e skulptura të ndryshme. Fiks të njëjtën pamje do ta gjeni në Gellert.

Që të notosh në pishinën e brendshme duhet të kesh kapuç prej llastiku në kokë sepse nuk lejohet. Ndërsa për peshqirët dhe shapkat është e njëjta gjë që përmenda më sipër. Patjetër që dhe në Gellert ka dhoma me dushe e funksione të ndryshme. Janë aq shumë sa s’i mbaj mend.

Edhe këtu ka pishinë të jashtme. E madhja është me temperaturë normale që mund të freskoheni gjatë verës, ndërsa një vogël është e ngrohtë dhe ka pranë dhomën e saunës. Pasi del nga sauna mund të futesh në një kazan me ujë të ftohtë akull, që të normalizosh temperaturën e trupit.

Thonë që stërvitje të tilla bën dhe Ronaldo e sportistë të famshëm nëpër botë që të forcojnë muskujt. Hyrja brenda dhe jashtë kushton rreth 20 euro.


Nëse doni të keni privatësi, duhet të shkoni rreth orës 8 në mëngjes, pa filluar akoma dyndja e turistëve. Kur shkova unë ishte ditë e shtunë, por mund të them që mileti është i përballueshëm. Nuk u ndjeva e bezdisur në asnjë moment.

Kalova 3 orë relaksi që do t’i mbaj mend gjatë. U ndjeva sikur sapo dola nga barku i mamit, aq e pastër d.m.th.


Përveç banjave që përmenda më sipër, ka edhe të tjera plot. Por unë ju sugjerova dy më të vizituarat, pastaj juve e dini vetë qejfin tuaj./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.