Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria me sytë e turistëve të huaj. Çfarë u pëlqen dhe çfarë i shqetëson

Në një seri intervistash të realizuara nga gazetarja Eda Preka për DritareTV, turistë nga Italia, Brazili dhe Polonia kanë treguar se si e shohin Shqipërinë, çfarë i ka befasuar dhe çfarë i shqetëson nga transformimi i shpejtë i vendit. Rrëfimet e tyre ndërtojnë një portret interesant të Shqipërisë së sotme: nga natyra ende e paprekur dhe mikpritja e shqiptarëve, te ndërtimet në bregdet, çmimet, kaosi i Tiranës dhe gjurmët e së kaluarës komuniste.

Një nga aspektet që tërheq më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj është kontrasti mes bregdetit gjithnjë e më të populluar dhe natyrës së paprekur në brendësi të vendit. Turistët italianë, të cilët kanë vizituar zona si Përmeti, Çorovoda dhe Berati, shprehin admirim të veçantë për kanionet dhe malet shqiptare.

Ata ngrenë njëkohësisht edhe një shqetësim që lidhet me të ardhmen e turizmit shqiptar: zhvillimin e vrullshëm dhe ndërtimet e reja në zona të bregdetit, si Himara. Për ta, magjia e vërtetë e Shqipërisë nuk gjendet vetëm në plazhet e famshme dhe të mbipopulluara, por veçanërisht në ato vende ku natyra, qetësia dhe autenticiteti vazhdojnë të mbizotërojnë.

Përtej natyrës, turistët flasin edhe për një lidhje të veçantë me shqiptarët. Vizitorët italianë dallojnë ngjashmëri mes shqiptarëve dhe banorëve të Italisë së Jugut, aq sa në momente të caktuara thonë se ndihen si në shtëpinë e tyre. Mikpritja është një nga gjërat që i ka impresionuar më shumë, deri te rastet kur shqiptarët u kanë ofruar ushqim pa pranuar para në këmbim.

Edhe turistët brazilianë sjellin një tjetër këndvështrim. Duke qëndruar në Shqipëri për periudha më të gjata, ata kanë mundur të shohin jo vetëm anën turistike, por edhe jetën e përditshme. Krahasimi mes Sarandës dhe Tiranës, kaosi i kryeqytetit, çmimet dhe mënyra e jetesës janë disa prej elementeve që u kanë tërhequr vëmendjen.

Një nga paradokset që ata evidentojnë lidhet pikërisht me koston e jetesës: ndërsa produktet në supermarkete u duken relativisht të shtrenjta, në restorante mund të gjejnë ushqim tradicional shumë të mirë me çmime të ulëta.

Por Shqipëria i tërheq të huajt edhe për historinë e saj. Turistët ndalen te periudha komuniste dhe përpiqen të kuptojnë se si ishte të jetoje në një prej vendeve më të izoluara të Evropës. Nga kjo lindin edhe pyetje që shkojnë përtej historisë shqiptare: çfarë do të thotë mirëqenie, çfarë e bën një shoqëri të lumtur dhe sa nga vlerat njerëzore humbasin në rendjen e vazhdueshme pas konsumit dhe pasurisë.

Një tjetër perspektivë vjen nga turistët polakë. Ata shohin te Shqipëria e sotme ngjashmëri me Poloninë e disa viteve më parë. Modernizimi i shpejtë i Tiranës dhe ritmi i ndërtimeve i impresionojnë, por njëkohësisht i bëjnë të paralajmërojnë për gabimet që mund të sjellë një zhvillim urban i pakontrolluar.

Megjithatë, pavarësisht kritikave, ajo që bashkon pjesën më të madhe të rrëfimeve të turistëve është optimizmi për Shqipërinë dhe bindja se vendi ka ende një potencial të jashtëzakonshëm.

Ndaj sot po ju tregojmë një Shqipëri të parë me sytë e të huajve: një vend që po ndryshon me shpejtësi, që herë i mahnit dhe herë i bën të ngrenë pikëpyetje, por që mbi të gjitha i tërheq për natyrën, historinë dhe njerëzit e tij. Për ta, Shqipëria nuk është më vetëm një destinacion veror, por një vend që ia vlen të zbulohet, të kuptohet dhe, në shumë raste, të rikthehesh për ta parë sërish./dritare.net