Na ndiqni edhe në

Shqip

Të gjithë duhet të bëhemi spiunë! Flet Gjin Lleshi

“Të gjithë duhet të bëhemi spiunë”, tha Gjin Lleshi, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen dhe Trajtimin e të Droguarve, i cili jeton prej 13 vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV, Lleshi foli për raportin e shqiptarëve me shtetin dhe veçanërisht për hezitimin për të njoftuar policinë kur janë dëshmitarë të një ngjarjeje.

Sipas tij, në Shqipëri fjala “spiun” vazhdon të shihet me përçmim, ndërsa në vende të tjera raportimi i një krimi apo i një situate të rrezikshme shihet si përgjegjësi qytetare. “Qytetarët nuk bashkëpunojnë me policinë se quhen spiunë. Në një kohë kur spiuni është njeriu më i nderuar i botës. Spiuni është më i vlerësuari në botë. Ai mbron kombe. Unë jam spiun”, u shpreh Lleshi.

Ai shpjegoi se me termin “spiun” nuk nënkupton përgjimin apo denoncimin arbitrar të njerëzve, por qytetarin që nuk hesht kur sheh një krim ose një ngjarje që duhet t’i raportohet policisë. Sipas Lleshit, nëse një person bëhet dëshmitar i një ngjarjeje dhe nuk njofton autoritetet, kjo sjellje nuk duhet konsideruar normale.

“Nëse duam shtet, duhet njoftuar shteti”, tha Lleshi.

Gjatë intervistës në DritareTV, Lleshi foli gjerësisht edhe për drogën, alkoolizmin, problemet e shëndetit mendor dhe nevojën për parandalimin e ngjarjeve të rënda. Ai kritikoi faktin që, sipas tij, institucionet reagojnë pasi krimi ka ndodhur, ndërkohë që duhet të ekzistojnë mekanizma që identifikojnë dhe trajtojnë më herët personat që paraqesin rrezik për veten apo të tjerët./dritare.net